Nga: Ridvan Peshkëpia
Në rrjetet sociale është shpërndarë në mënyrë virale njoftimi për protestën RAGE AGAINST THE WAR MACHINE [Zëmërimi kundër makinës së luftës], i cili planifikohet të mbahet më 19 Shkurt te Memoriali i Linkolnit në Uashingron DC. Ndonëse organizatorët zyrtarë të saj janë Partial Libertariane dhe Partia e Popullit, ajo çka karakterizon profilet e folësve në këtë protestë është se ata përfaqësojnë një gamë të gjerë të spektrit politik, duke përfshirë komentatorin majtist Jimmy Dore, Medea Benjamin nga Partia Gjelbër, libertarianianin Scott Horton, komentatoren konservatore Kim Iversen dhe gazetarin  Max Blumenthal, qëndrimet e të cilit për çështje të ndryshme mbulojnë gjithë spektrin politik. Protesta ZEMËRIMI KUNDËR MAKINËS SË LUFTËS shtron kërkesat e mëposhtme:
* Asnjë qindarkë më shumë për luftën në Ukrainë
* Negocim i paqes
* Ndal inflacionit të shkaktuar nga lufta
* Shpërndarja e NATO-s
* Ulja e tensioneve bëthamore globale
* Përgjysmimi i shpenzimeve ushtarake dhe kthimi i atyre parave te populli amerikan
* Shpërbërja e CIA-s dhe shtetit të thellë industrial-ushtarak
* Ndalimi i luftës dhe perandorisë [amerikane]
* Rikthimi i lirive qytetare
* Lirimi i Xhulian Asanzhit [Julian Asange]
Pak ditë më parë, komentatori konservator Taker Karlson [Tucker Carlson] kishte ftuar në emisionit e tij shumë të ndjekur komentatorin e majtë Xhimi Dor [Jimmy Dore]. Biseda miqësore dhe përputhshmëria me këtyre udhëheqësve të mendimit politik amerikan të së djathtës dhe së majtës tradicionale, përkatësisht, më enthusiasmoi, sepse ishte evidencë e fuqishme për tezën që unë po e përpunoj prej dy vjetësh dhe të cilën e kam ndarë shpesh edhe me miqtë e mij në FB. Argumenti im është si vijon:
Çindustrializmi i Perëndimit solli zhdukjen e të majtës dhe të djathtës tradicionale, së bashku me arenën politike ku debati i tyre zhvillohet (demokracia liberale) dhe arsyen e këtij debati (rishpërndarjen e të ardhurave). Sot pushtetin politik dhe ekonomik në Perëndim nuk e ka më as borgjezia industriale dhe as puntoria por mikroborgjezia. Marksi e pati cekur lehtë konceptin dhe rolin social-politik të mikroborgjezisë, por ai kurrë nuk e pati kuptuar si duhet këtë klasë, ashtu siç nuk pati kuptuar puntorinë, të cilën e ngatërronte me konceptin e tij të zbrazët të proletariatit dhe ashtu siç nuk pati kuptuar se themeli i marrëdhënieve mes borgjezisë industriale dhe puntorisë nuk ishte konflikti por bashkëpunimi i këtyre dy kategorive socio-ekonomike, të cilat ishin fitimtaret e Revolucionit Industrial. Ndryshe nga borgjezia industriale dhe puntoria, të cilat mbështeten në prodhimin industrial, mikroborgjezia mbështetet në ekonominë e shërbimeve. Kësisoj, Revolucioni i Dytë Industrial i viteve 1920-30 (radio dhe komunikimi), Revolucioni i Tretë Industrial i viteve 1950-60 (gjysëmpërçuesit dhe kompjuterët) dhe Revolucioni i Katërt Industrial i viteve 2010-vazhdim (inteligjenca artificiale dhe realiteti virtual) të gjitha kontribuan në fuqizimin e ekonomisë së shërbimeve, ndërsa globalizimi shpartalloi industrinë perëndimore.  Kësisoj, tani nuk ka më debat politik rishpërndarës mes të majtës dhe të djathtës por sundim të NJËPARTISË MIKROBORGJEZE, klasa politike mbisunduese në Perëndim (e financuar nga spekulantë financiarë të kallëpit të Sorosit dhe e mbështetur mbi ideologjinë Woke) e cila përdor të gjitha mjetet e shëmtuara të shtypjes së lirisë, qysh nga censura e deri te dhuna politike, manipulimi i zgjedhjeve, burgosjet politike dhe zhdukja e kundërshtarëve politikë për të ruajtur privilegjet e veta ekonomike dhe politike. Vetëdija e rolit shkatërrimtar që ka luajtur çindustrializimi në perëndim bashkon shpesh në shumë pika politike edhe politikanë të së majtës tradicionale si Bernie Sanders me politikanë të së djathtës tradicionale si Donald Trump, kryesisht të fokusuara në përpjekjet e tyre për të rikthyer në ShBA prodhimin industrial. Kësisoj, sot e majta dhe e djathta tradicionale, të cilat përfaqësojnë përkatësisht puntorinë dhe borgjezinë industriale janë aleatet kundër mikroborgjezisë sunduese dhe kjo aleancë përfaqëson jo vetëm racionalen filosofike që ngriti Qytetërimin Perëndimor në nivelin më të lartë të zhvillimit njerëzor të njohur ndonjëherë, por edhe vlerat e tij më të mira si liria individuale dhe drejtësia shoqërore.
Protesta ZËMËRIMI KUNDËR MAKINËS SË LUFTËS është një manifestim i të majtës dhe të djathtës tradicionale kundër NJËPARTISË mikroborgjeze që ka mbërthyer republikën amerikane dhe praktikisht të gjithë klasën politike perëndimore. Për fat të keq nuk jam më në Uashington DC, por po të isha, do më kishit gjetur në rradhët e para të protestës (zyra ime në Uashington DC ka pas qenë vetëm 5 minuta larg nga Memoriali i Linkolnit, ku do zhvillohet kjo protestë).