Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka zhvilluar një tjetër vizitë në Prokurorinë e Posaçme dhe ka paralajmëruar sërish politikën që të ndalë kërcënimet ndaj prokurorëve. Pak ditë më parë ajo takoi gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit, ku dha alarmin e gjyqtarët e prokurorët po shantazhohen.

Ndërkohë mësohet se sot ambasadorja është takuar me Arben Krajën dhe prokurorët e tjerë të SPAK. Pas takimit, Kim ka deklaruar se kërcënimet nuk do të ndalin prokurorët të dërgojnë pas hekurave emrat e zhytur në afera.

“U takova sot me Arben Krajën dhe prokurorët e tjerë të SPAK, ku theksova mbështetjen e SHBA për punën e tyre të rëndësishme. Pavarësisht kërcënimeve, SPAK është i përqendruar në ofrimin e më shumë rezultateve që tregojnë se askush- pavarësisht postit apo pasurisë së tij- nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.

Mënyrat e vjetra duhet të marrin fund në mënyrë që shqiptarët të ecin përpara, të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit Europian- në mënyrë që qytetarët e rregullt të marrin frymë lirisht dhe të bëjnë një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Le të vazhdojmë përpara së bashku”, thekson Kim në rrjetet sociale.

Deklarata e ambasadores është një kambanë alarmi për politikën. SPAK ka disa dosje të bujshme në duar dhe Kim ja u ka bërë të qartë pushtetarëve se presionet e tyre nuk do të pinë ujë, pasi kush ka futur duart në xhepat e shqiptarëve do mbajë përgjegjësi. Nuk dihet për kë bien kambanat, por sinjalet janë se do kemi zhvillime të bujshme nga SPAK.

Pak ditë më parë ambasadorja amerikane lëshoi disa deklarata të bujshme. Ajo zhvilloi takime me gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit në GJKKO, ku deklaroi hapur se ata janë nën presion dhe shantazh. Kim paralajmëroi politikën që të mbajë duart larg drejtësisë.

Unë ju them ndaloni, koha për të bërë telefonata për të dërguar emisar, dhurata e kërcënime, duke kërcënuar për të ekspozuar sekrete të errëta nga e shkuara, formojnë bazat për një tjetër sekret të erret, kjo kohë ka përfunduar. Kjo kohë ka përfunduar. Keni mbushur xhepat, tuaj dhe të të fëmijëve tuaj. Ndaloni! Qytetarët shqiptarë duhet të besojnë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ka një të ardhme më të ndritur“, tha Kim.