Frrok Çupi/

Varka biblike e Noas kishte brenda disa kafshë, përveç pjesëtarëve të familjes së shenjtë. Në titullin e sipërm të shkrimit nuk guxova të them ‘dele’ për korrektësi të historisë biblike. Por në fakt, për variantin e ‘varkës sonë’ duhet thënë ‘dele’.

Prej tre a katër vjetësh, qeveria jonë i quajti ‘dele’ njerëzit që qeveriste, domethënë ‘kafshët’ që kishte futur në varkë dhe u kishte premtuar t’i shpëtonte nga stuhitë.

Ka ngjashmëri famoze mes, thuajse, të gjithë elementëve të Varkës së Noas dhe varkës së qeverisë sonë aktuale. Jo për nga biblizmi; aspak për nga biblizmi…, po ta quanim ‘biblizëm’ këtë që po ndodh- do të ishte mëkat që do të na përplaste në malet Ararat- 4 mijë metra mbi nivelin e detit,  ku thuhet se sot e kësaj dite ndodhen mbetjet e Varkës së Noas. Kjo varkë e tanishme e qeverisë është e tëra mëkat dhe ndotje; biblizmi nuk ka asnjë afërsi me të.

Por ka ngjashmëri të tjera:

1.

Ngjashmëria e parë:

Varka e Noas kishte brenda një familje  dhe kafshë; familja kishte premtuar që të shpëtonte kafshët nga përmbytjet dhe ishte nisur në lundrim… Edhe anija e qeverisë shqiptarë, që tani ka marrë ujë e po mbytet, kishte ‘kafshë’ dhe një familje brenda saj. Familja ishte ‘familja qeveritare’ e kompozuar kokërr për kokërr me njerëz të çuditshëm dhe ndryshe nga njerëz normalë: shumë të pa shpirt, shumë të pa ditur, shumë ekstraversë dhe më në fund- shumë të guximshëm në të keqe e në mafie. Ndërsa ‘kafshë’ qeveria  emërtoi njerëzit që qeveriste, domethënë popullin. Vetë kryeminsitri i pat quajtur ‘dele’ kafshët e kësaj varke. Populli ‘dele’ nuk hapi gojë para epitetit poshtërues…, por pse? Sepse ndodhej në varkë, në varkën ku i ishte premtuar nga ‘familja’ qeveri që ta shpëtonte popullin.

Ngjashmëria e dytë:

Familja që lundronte me Varkën e Noas u quajt familje e shenjtë e biblike. Po kështu familja qeveritare e tanishme e Shqipërisë ka nisur të quhet ‘familja e shenjtë’. Jo pse është e bekuar, por përkundrazi. Sepse është një familje mafioze. Ka mbytur vendin në bimë narkotike, e ka kthyer drogën në prodhimin kryesor ‘industrial’ të vendit, e ka bazuar ‘mirëqenien’ e kafshëve në të ardhurat e prodhimit të drogës që nuk futen në buxhet e nuk kontrollohen; i ushqen kafshët me para ‘mirësie’ që mban në xhepa- të fituara nga trafiku i drogës… Më në fund edhe ministri (ose ministrat) u gjetën si anëtarë të bandave kriminale… Familje  ‘të mirësisë’ janë quajtur familjet mafioze gjatë gjithë historisë së Mafies. Që nga familjet mafioze të New Yorkut në vitet ’30 e deri në Sicili, këto quhen ‘familje të shenjta’. Ndoshta populli iu ka vënë këtë emër nga frika ndaj tyre, si për të përkëdhelur djallin “zot i mirë”.

Ngjashmëria e tretë:

Dita kur u mbyt Varka e Noes, sigurisht që mbeti një enigmë, por që fati e kishte parashikuar. Njësoj si me ‘varkën’ e qeverisë sonë. Që në mandatin e parë qeveria ngarkoi mbi vete shumë pushtet, pushtet pa fund. Në mandatin e dytë- akoma më shumë, me timonin vetëm në një dorë. Këtu u mbyt; askush nuk ishte gati për not. Madje edhe ministri që bën pjesë në banda kriminale dhe që nxori nga shtëpia, (në një ditë) 860 mijë euro e dy patenta e pasaportën e gruas…, as ky nuk di not. Nga dëshira për të ditur not, ky ecën me arrogancë, por krejt sikur bën not qeni. Nuk ia keni vënë re duart e shkurtra kur ecën si në not qeni?… Por jo not shpëtimtari.

Ngjashmëria e katërt:

Tanimë edhe varka e qeverisë mori ujë: Mafie, krim, arrogancë, ligësi dhe humbje e orientimit drejt shërbesës ndaj ‘kafshëve’. Nuk ka më diskutime për ‘familjen e shenjtë’, por çfarë do të ndodhë me ‘kafshët’ që ndodheshin në varkë… A do të qëndrojnë qytetarët shqiptarë si dele edhe pas kësaj që ndodhi?… Jo, nuk do të qëndrojnë, se ‘po mbyten’. Po çfarë do të bëjnë? Nuk ka asnjë dritë, malet Ararat janë larg, mes Turqisë e Armenisë, në fund të botës. Në kuptimin alegorik- larg, sepse nuk na shpëton dot më Lindja. Perëndimi është i cënuar rëndë nga politika e qeverisë sonë; përveç disa eurokratëve që bashkëpunojnë në mafie. Opozita nuk ka asnjë lidhje me ‘kafshët’ e varkës që është populli; opozita ka vetëm 43 deputetë, ca zyra, ca fraza arkaike, dhe mund të quhet po kështu familja e dytë “e shenjtë”.

Çështja është kjo, pasi ‘varka’ u shpua dhe po mbytet: Çfarë do të bëhet me ‘delet’- sipas qeverisë!?

Veritas.com.al/