Teksa paraditen e sotme, Presidenti Meta ka nënvizuar se ai është zgjedhur nga një Parlament tërësisht legjitim i ka dërguar një letër kreut të KQZ, ku i kërkon të dijë se sa është numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Pa kaluar 24 orë nga votimi në Parlament i rezolutës kundër presidentit, Kreu i Shtetit bën veprimin e radhës që paralajmëron një shpërndarje të mundshme të Parlamentit.

Paraditen e të premtes Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, zonja Ornela Zonja i ka dërguar një letër me dy pyetje KQZ-s, ku kërkon të dijë se cili është numri aktual i mandateve të deputetëve në Kuvend në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktual në Parlament.

Pas dekretit të Presidentit që çdekreton datën e zgjedhjeve, në bllok bashkitë e djathta i kërkuan po sot KQZ-së, lirimin e ambienteve të shfrytëzuara si KZAZ.

Mazharonca socialiste edhe me 27 votat e opozitës së re miratoi me 100 vota rezolutën duke i nxjerrë kartonin e verdhë paralajmërues presidentit Ilir Meta, por Kreu i shtetit iu kundërpërgjigj duke i kërcënuar me paligjshmërinë.

“Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim. Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurtë që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.” tha ai

Por cilat janë planet e presidentit për një dekret me një datë të re zgjedhjesh?

“Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin”, deklaroi Meta paradite.

Hapave vijues të mazhorancës me dekretimin e datës së zgjedhje, presidenti i përmendi çmendjen madje edhe vendlindjen Skrapar.

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet. Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për në Bashkimin Europian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Këto deklarime të presidentit tregojnë se rezoluta nuk ka patuar asnjë efekt ndaj tij për të ndryshuar kurs apo reflektuar.

Nga krahu tjetër mazhoranca nuk është duke bërë rrolin e spektatorit.

Top Channel ka mësuar se grupi parlamentar socialist ka mbledhur 55 firma mes tyre edhe nga opozita e re, që do të depozitohen në Kuvend të hënën për të nisur shkarkimin e Presidentit.

Kujtojmë se pak ditë më parë Luan Rama i LSIdeklaroi në “Top Talk”, se fakti që në Kuvend nuk janë 140 deputetë, vendimi për shkarkimin e Presidentit bëhet nul.

“Kushtetuta thotë me votat e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit. Duhen të jenë 140 deputetë të në Kuvend që të merret një vendim i tillë. Të marrësh një vendim kur nuk ke 140 deputetë me detyrimin që duhet të jenë 140 do të thotë të bësh një idiotësi, në të gjithë pikëpamjen e fjalës”, tha ai në studion e Top Talk.

Vëmë në dukje se pas dorëheqjes në bllok të deputetëve të opozitës, e pas ezaurimit të listës së PD dhe LSI, Kuvendi përbëhet nga 122 deputetë.

Veritas.com.al