Nga L. Skiro/ Veritas.com.al/

Në media, veçanërisht në mediat online, po qarkullon një lajm në formë opinioni, sikur Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka bërë një  “marrëveshje të fshehtë” me kryeministrin e Serbisë, Vuçiç. Kjo transmetohet nga media që janë afër me çështjen e Kosovës, gjë që të bën të mendosh se diçka dinë “underground”.

Po cila është marrëveshja e fshehtë? “E fshehtë” ka kuptimin që kjo marrëveshje mes dy shteteve skajore në hartën e shtetit të Kosovës është kryer duke e mbikaluar Kosovën. Por duke e “mbikaluar” jo veç si gjeografi; në radhë të parë sipas ligjeve ndërkombëtare dhe të fqinjësisë në marrëdhëniet mes shteteve. Gazeta “Zëri” e Prishtinës thotë se ka siguruar një dokument ku kryeministri serb dhe kryeministri shqiptar “bien në ujdi” për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që kalojnë nëpër territorin e Kosovës; por kjo marrëveshje është hartuar dhe është nënshkruar “pa miratimin e Qeverisë së Kosovës”.

Për autostradat dhe linjat hekurudhore që nisen nga Serbia dhe kalojnë përmes territorit të Kosovës për në Shqipëri, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviç, kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e Qeverisë, që udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Kështu shkruan gazeta “Zëri” në Kosovë.

Po çfarë kuptimi do të kishte ky veprim politik i qeverisë së Shqipërisë, në qoftë se është i vërtetë?! Po pse pyesim: “Vallë a është i vërtetë?”. Sepse është shumë i rëndë, dhe për punë të rënda gjithnjë peshohet, peshohet edhe besimi edhe fjala.

Në qoftë se qeveria e Shqipërisë e ka bërë “nuk” qeverinë e Kosovës, kjo do të thotë se në bashkëpunim me një qeveri tjetër fqinjë (që në këtë rast është e Serbisë) nuk e njohin sovranitetin e qeverisë dhe të republikës së Kosovës. Në rastin më të keq, nesër kur të hyjnë në Kosovë ndërtuesit shqiptaro-serb për të kryer punimet sipas marrëveshjes Rama- Vucic, i bie që instrumentet shtetërore dhe qytetare të Kosovës t’i konsiderojnë ndërtuesit e huaj si të paligjshëm dhe të veprojnë si në një ndërhyrje brutale të shteteve të tjerë në territor.

Arbana Xhavarra, gazetare, kryeredaktore e gazetës “Zeri i Kosoves”, shkruan:

“Edi Rama ka nënshkruar protokoll bashkëpunimi me Serbinë për autostradën Nish-Prishtinë-Tiranë, pa e përfshirë Kosovën. Nga cilido aspekt, kjo është e papranueshme. Përjashtimi nga vendimmarrja për Kosovën mund të pritet nga kushdo, por jo nga Shqipëria. Ne jemi shtet dhe duhet të trajtohemi si të tillë. Nëse Shqipëria nuk na trajton si të tillë, atëherë çfarë mund të presim nga të tjerët?

Të kërkosh nga Serbia që të njoh Kosovën si shtet dhe të njëjtën kohë të sillesh ndaj saj si padron është e pakuptimtë. Po ua lë “diplomatëve” shqiptar të tregojnë nëse kjo marrëveshje paraqet “lëshim” apo është pjesë e politikes së saj të jashtme që për Kosovën të vazhdojnë të vendosin te tjerët”.

… Po sikur kjo të jetë e vërtetë, atëherë i bie që qeveria e Shqipërisë aplikon dy standarde ndaj Kosovës: Nga njëra anë “e njeh” pavarësinë e saj, në anën tjetër (de facto) e mohon atë. Jo thjesht e mohon me fjalë, por e “fshin” nga harta e shteteve në rajon.

Shpesh po thuhet se “Shqipëria” po mban një qëndrim ledhatues ndaj Kosovës, ose si të thuash “përkëdhele se mjaft e ka!”, por në fakt nuk bën gjë të qenësishme. Kjo thuhet për shkak të qëndrimeve të qeverisë së Shqipërisë. Po pikaset edhe e vërteta se politika zyrtare e Shqipërisë e përdor Kosovën si kartë “nacionaliste” për të fituar vota në fushatë elektorale.

Por po të jetë e vërtetë “shkelja” e fundit, kjo është e rëndë.

/Veritas.com.al/