Policia e Shtetit kallëzon në Prokurori të Tiranës ish-deputetin demokrat Myslim Murrizi pasi nuk deklaroi 60 mijë euro transaksione me të tretë nëpërmjet kompanisë së tij “Murrizi 2009”. ReportTv mëson se Myslim Murrizi është kallëzuar për pastrim parash dhe fsheje të pasurisë, ndërsa Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur hetimet.

Sipas veprimeve paraprake të kryera nga Krimi Ekonomik, transaksionet janë bërë në vitin 2019 kur Murrizi ka qenë deputet dhe nuk janë deklaruar pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive. Në filtrin e Prokurorisë së Tiranës, mësohet se do të kalojë e gjithë pasuria e ish deputetit. Burime pranë organit të akuzës thanë për Report se vlera e transaksioneve që policia ka referuar në Prokurori, nga viti 2014 deri më 2019 është 575 mijë euro, por Murrizi është vënë nën hetimet vetëm për 60 mijë euro të padeklaruar në ILDKPKI , vlerë që i përket vitit 2019, kur Murrizi ishte deputet, dhe ka detyrimin ligjor t’i deklarojë pranë Inspektoratit. Ndërsa 515 mijë euro transaksione të bëra kur nuk ka qenë deputet nuk janë nën sitën e prokurorisë.

Kompania “Murrizi 2009” rezulton e krijuar në vitin 2002 dhe ka objekt ndërtimet dhe përpunimin e mermerit. Në këtë kompani ish-deputeti është aksioner me 50 % të aksioneve ndërsa 50 % i përkasin, Besnik Murrizin. Fill pas lajmit të publikuar në ReportTv, në një lidhje telefonike, Murrizi e cilësoi hetimin e nisur ndaj tij sajesë të ish sigurimsave.

“Të gjitha dokrrat që shkruajnë në atë raport ish sigurimsat si Tonin Voci.  Nuk është e vërtetë që jam dënuar, kam marrë pafajësinë nga Gjykata e Lartë. Është vendimi nr. 423 i Gjykatës i së Lartë. Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që kryesojnë Policinë e Shtetit. Unë kam deklaruar çdo qindarkë. Fundërrinat e këtij lloji i kam përdorur shpesh si letra higjienike. Habia më e madhe është akuza për ‘pastrim parash’. Paratë e kujt pastroj unë? Të ministrave të Ramës? Të Lulit? Ata i kanë lavatriçet e tyre”, ka thënë Murrizi për Report Tv.

Në ditët në vijim pritet që Prokuroria e Tiranës të thërrasë ish-deputetin për të dhënë deklarime në lidhje me transaksionet që konsiderohen fshehje dhes pastrim parash nga krimi ekonomik.