Nga: Sali Berisha*/

Edi Rama është aq antishqiptar sa ç’ishte babai i tij shpirtëror Enver Hoxha. Është antishqiptar në gen. Dhe është i vetmi pas Enver Hoxhës që nuk le rast pa shprehur urrejtjen, përçmimin, diskriminimin për veriun e Shqipërisë.

Në 4 vite, ky antishqiptar ka investuar në rrethet e veriut më pak se gjysmën e investimeve në njërën prej bashkive që vjedh, ka investuar më pak se në një bashki.

Ky përçarës kombëtar u thotë ambasadorëve të huaj se “unë kam futur në parlament këta kriminelë, këta cuba , këta horra nga veriu se veriu tradicionalisht qeveriset nga njerëz të tillë”!

Unë i them Ramës të mos shkelë mbi virtytin e tyre, se horrat e cubat janë të sojit tënd, kurse ata të veriut janë të virtyteve.

Së fundi ti je i vetmi që ti përçmon veriun për dialektin e tij të mrekullueshëm. Tanimë duhet të them një fjalë: Çdo shqiptar nga veriu, jugu, lindja, perëndimi, duhet të jetë krenar me atë shqipe që i mëson nëna e tij!

Dhe atij mund t’i përqeshë dialektin vetëm ai që nuk është shqiptar, që urren shqiptarët.

Unë të them një gjë: Mos i përçmo, mos përdor postin për t’i fyer dhe përçmuar qytyetarët e vendit, ngado që janë ata, sepse të jesh i bindur se gjëja më e thjeshtë e tyre të të tregojnë ty, të të japin atë që meriton në jo më pak se gjysmë ore.

Së fundmi, Edvin!

Ke marrë përsipër aktin më makabër në historinë e lirisë së shqiptarëve, të bëhesh varrmihës i pluralizmit politik.

Të bëj thirrje: në qoftë se të ka ngelur qoftë dhe pikë e arsyes njerëzore hiq dorë sa më parë nga kjo sipërmarrje. Nuk kanë lindur kurrë ata që mund të heqin liritë politike të shqiptarëve në Shqipëri.

Edhe një gjë tjetër për ta mbyllur: Të ftoj të rrish në atë dritare më 13 maj dhe të garantoj se ne protestën e kemi paqësore. Por një gjë të siguroj prapë, Edvin: Çadra do të të duket Everest!

Do ta shohësh se ne jemi të vendosur në protestën tonë paqësore.

Edhe njëherë ftoj shqiptarët nga Maqedonia, Kosova, diaspora, të gjithë në Tiranë për mbrojtjen e pluralizmit, për mbrojtjen e votës së lirë.

/Veritas.com.al/

___

*Deputet, ish president dhe kryeministër i Republikës