Frrok Çupi/

Njëri nga liderët e LSI, servil i Ilir Metës, që në mëngjes piu kafe dhe shkroi në Facebook: “Ooh, ç’ditë sot, dita më e qetë!”. Sepse sot u zgjodh president kryetari i Partisë së tij. M’u kujtuan reportazhet e ditëve kur diktatori Enver Hoxha dilte në ndonjë tribunë, dhe ku shkruhej: “Sot trëndafilat ishin më të mëdhenj se fytyrat e fëmijëve të lumtur të Shqipërisë”. Këta janë e njëjta rracë.

Por puna është se dita nuk ishte “më e qeta” në sensin e asaj që shijojmë si jetë. Dita që në mëngjes nisi të vishej  ‘plumb’ qiellor; ndërsa brenda Kuvendit ku u zgjodh Presidenti i Republikës  ishte një ditë mortore. Në thelb vetë Presidenca ishte mortore:

Në sallën e madhe të Kuvendit nuk kishte zëra, as nerv- dy elementë që i duhen domosdo jetës; çdo lloji jete, jo vetëm jetës njerëzore. Edhe jetës së zogut, edhe jetës së derrit të egër i duhen këto. Por Kuvendi, edhe pse i mbushur me ‘derra të egër’, nuk kishte zëra. Dikush kishte vdekur ose po vdiste.! Presidenti Ilir Meta, sapo u zgjodh, deklaroi se këtë detyrë të lartë ia kishte ‘kërkuar’ prej kohësh Edi Rama. Domethënë ‘vdekja’ e Metës kishte ndodhur që atëherë. Jeta bëhet mall që blihet, ose shite, dhe kjo nuk është më jetë. Vëzhguesit po thonë se ‘presidenti i ri’ nuk kishte më jetë persona; sepse e ka vënë peng për krimin dhe korrupsionin; aleati ia di.

… Në sallën e Kuvendit lozhat e caktuara për Trupin Diplomatik, sot ishin bosh. Domethënë ceremoniali ishte shumë privat, si një mortore e pa shkëlqim. Këtu në këtë sallë është i tëri “barku i Shën Mërisë” (Ose i Baba Novruzit). Këtu janë deputetë trafikantë, vrasës dhe injorantë. Këtu janë ata që mbjellin dhe ata që trafikojnë drogë. Këtu janë ata që vrasin njëri tjetrin dhe ata që pranojnë ‘viktimën’. Të gjithë brenda familjes. Opozita nuk ndodhet në sallë, dhe mund të mos ndodhet për një kohë të gjatë. Edhe në varrimin e kryeministrit komunist Mehmet Shehu morën pjesë vetëm 6 persona ‘të familjes’. Enver Hoxha e kishte vrarë ‘brenda familjes’.

Këtu janë mbledhur, në fakt viktimat, por që mendojnë se kanë viktimizuar pjesën tjetër të botës. Këta, në një akt të prezumuar si të glorifikuar, menduan se do të sfidonin të gjithë të tjerët. Menduan se do t’u hidhnin lesh syve të gjithë qytetarëve të vendit duke iu mbushur mendjen se ‘e bëmë shtetin, tani ju sundojmë’. Por në fakt njerëzit u tallën jashtë sallës. Një grup të rinjsh kishin ardhur me dy parulla kundër presidentit të ri dhe dy policë trashaluqë e të rinj i morën dhe i dërguan në qeli. Policët ishin aq të shëndetshëm sa ç’kishte qenë presidenti Meta në kohën kur ngrinte pesha.

Jashtë sallës së Kuvendit ishin orkestruar nja dhjetë a pesëmbëdhjetë të rinj “lë-së-i-stë” që të hidhnin fishekzare kur të shpallej Presidenti i ri. Mirëpo kjo dështoi, siç dështojnë ca akte njerëzore nëpër banjat e shumta të aeroporteve ku pasagjerët janë bërë kaps nëpër sedile avionësh. Presidenti i ri- kanë thënë se kur ka bërë ditëlindjen kishte në dispozicion 50 banja; ndërsa këtu nuk u dëgjua as zhurma e fishekzareve. Kryeministri i vendit, kur u ngrit të votonte pro- Presidentit, gati u rrëzua, iu morën këmbët dhe nuk e dinte nga është Meta e nga është votimi. Si në vrasjet e tragjedive të Shekspirit, ku viktima ishte akoma i gjallë.

Kryeministri ia ka imponuar presidentit postin e Presidentit. Po të mos e merrte detyrën, do ta pësonte keq. Njerëzit thonë se luhej me burgun; dmth., me vdekjen. Më në fund kryeministri fitoi ndaj rivalit dhe aleatit të ti: E zhduku! Pas pak do të zhduket edhe Partia e tij që i kishte bërë hije Partisë së Madhe ish- komuniste. Vetë Meta dje kur ‘u nda përjetë’ me shokët e Partisë lëshoi fjalë mortore: “Le të vdeë Partia nëse mbahej te një njeri”- tha, duke e ditur se te një njeri varej. Njeriu që kishte shpallur ‘besnikërinë’ si kualitet personal, sot i la shokët në rrugë. Me këtë rast vdiqën të tre: LSI e Metës, Meta i LSI, dhe Presidenti Meta. Të shkosh në presidencë për orët e fundit të jetës, vetëm në këtë rast ka ndodhur.

Si në një ditë mortore e përjetoi edhe familja e vetë Presidentit. Gruaja e tij, një politikane po aq e vjetër sa edhe vetë Presidenti, deklaroi se ‘nuk do të jetë’ Zonjë e Parë, por vetëm deputete. Ajo deklaroi se ‘nuk e donte këtë’ gjëmë. Më në fund rivali i të shoqit fitoi mbi të; një grua e përjeton si poshtërim të burrit këtë që ndodhi… Por as familja politike, që quhet LSI, nuk ka shpëtuar nga ‘fundi’. Nesër Partia Socialiste nis të hajë LSI-në. Sot nuk kishte asnjë zë nga kjo ‘Lëvizje’ të cilës i ka humbur kuptimi i shtesës ‘për Integrim’.

Sot, sinqerisht, u duk se si presidenti i ri edhe kryeministri i vjetruar, e kishin kaq të lehtë të zgjidhnin Presidentin e Republikës. E lehtë pupël. Atëherë këta nuk janë; këta nuk kanë peshë dhe janë veçse ‘pupul’. Mortaliteti shfaqej në çdo detaj; edhe në detajin e puplave të rrjepura nga një shpend grabitqar.

/Veritas.com.al/