Sot në Durrës është kapur një sasi kampion kokaine; 180 milionë euro, kurrë nuk ka ndodhur në vendin tonë…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit në aksionin e sotëm ku u sekuestruan 613 kilogramë kokainë. Kjo është sasia më e madhe e kokainës që është kapur brenda territorit shqiptar. Vlera e saj arrin në rreth 180 milionë euro.

Në mesazhin e tij, Presidentit përshëndet punën e policisë dhe bashkëpunimin me autoritetit italiane.

Kreu i shtetit shprehet se rreziku kryesor i sigurisë kombëtare është fuqizimi i krimit të organizuar dhe për luftën ndaj tij ka kërkuar bashkëpunim me të madh me partnerët ndërkombëtarë. “Presidenti Meta duke theksuar rrezikun kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kreu i shtetit ka theksuar dhe rëndësinë e forcimit të sigurisë në kufijtë e vendit dhe në dogana. “Presidenti Meta thekson në mënyrë të përsëritur domosdoshmërinë për rritjen e kapaciteteve për forcimin e sigurisë së kufijve të vendit, veçanërisht të pikave të kalimit kufitar dhe inkurajon pastrimin e Policisë së Shtetit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese nga elementët e inkriminuar, në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese”,- njofton Presidenca.

Veritas.com.al/