Presidenti Bujar Nishani ka nderuar atdhetarin Dedë Gjo Luli (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë të veprimtarisë dhe kontributit të shquar atdhetar si prijës legjendar e i paepur në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare dhe udhëheqjen e tij vizionare të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi”.
Në ceremoninë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm drejtues të njësive vendore, përfaqësues të Malësisë së Madhe, studiues, historianë, miq nga Kosova dhe nga diaspora shqiptare, etj. Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë dhe nderin që, në cilësinë e Presidentit të Republikës, po vlerësonte dhe nderonte një atdhetar të spikatur.