Për kreun e shtetit, ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen me referendum dhe se nuk mund të shmanget filtri nga Gjykata Kushtetuese. Në vazhdën e qendrimit të tij për reformën në drejtësi, Presidenti i vendit, vetëm dy ditë pas letrës së bërë publike drejtuar edhe Kuvendit, shprehet se ligji themeltar i shtetit duhet të marrë edhe dakordësinë e popullit, por njëherësh, edhe sipas tij, ky referendum nuk duhet të përdoret nga politika në vend.

“Për disa ndryshime kushtetuese mund të shkohet në referendum, por e rëndësishme është që referendumi të mos kthehet në debat politik. Vendimi për referendum të merret me konsensus,” tha dje Nishani dje përpara studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, cituar nga Shqip.

Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajti dje me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, një leksion të hapur në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës me temë: “Sistemi i drejtësisë, sfidat dhe perspektivat në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në prani të Rektorit të UT, Prof. Dr. Dhori Kules, Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë Prof. Dr. Altin Sheganit si dhe shumë studentëve, pedagogëve dhe juristëve, Kreu i Shtetit i falënderoi për mikpritjen dhe respektin, i uroi një vit të ri akademik dhe suksese dhe shprehu emocionet dhenostalgjinë që ndiente kur ka dhënë mësim si lektor e si pedagog në auditorë të ngjashëm me studentë, madje edhe privilegjin që ka qenë edhe vetë student i këtij Fakulteti duke shprehur vlerësime edhe për shumë profesorë të dikurshëm.