Në ditën që në historinë e Shqipërisë shënjon rrëzimin e shtatores së diktatorit, Enver Hoxha, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordon medaljen e lartë “Nderi i Kombit”, studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, që morën pjesë në grevën e urisë të 26 viteve më parë.

“Ju atëherë rrëzuat jo vetëm një figurë të urryer, por në radhë të parë rrëzuat kultin e individit, kultin fals, – tha Nishani. – Misioni juaj historik i asaj kohe ende nuk ka përfunduar. Ndaj ju ftoj dhe përmes jush, bashkëkohësit tuaj, miqtë tuaj, të mos i reshtni përpjekjet dhe punën, të mos i shmangeni përgjegjësisë historike dhe përgjegjshmërisë shoqërore që dikur e mbajtët me aq krenari dhe pa u lëkundur për asnjë çast –  kur shpatullat tuaja ishin më të brishta – secili në fushën dhe mundësitë e tij duke e pasuruar më shumë atë vlerë të madhe që ju i dhatë vetes, i dhatë vendit, i dhatë shoqërisë dhe mundësisë së të ardhmes për Shqipërinë dhe shqiptarët por edhe për të bërë të mundur që Shqipëria jonë me mundësitë pasurore të dhuruara nga Zoti të mos vuajë nga padrejtësisë e zhvillimit ekonomik dhe social”, tha ai.

Dekorata u tërhoq nga ish anëtarë të komisionit drejtues të grevës, Mesila Doda, Blendi Gonxhe, Ilir Dizdari, Arjan Manahasa dhe Ndue Lugja. Në ceremoni ku te ftuar ishin ish studentë dhe pedagoge të Dhjetorit, mes të cilëve Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe drejtues të Universitetit të Tiranës, Kreu i Shtetit Bujar Nishani, i quajti ata heronjtë e asaj kohe dhe frymëzim i të tashmes për një Shqipëri më të denjë.

/Veritas.com.al/