Pas akuzave të përsëritura mes njëri tjetrit në media, dmth., mes presidentit të Republikës Nishani dhe shkrimtarit Visar Zhiti- tani i ngarkuar me punë në ambasadën e republikës së Shqipërisë në Selinë e shenjtë të Vatikanit, presidenti i Republikës ka vendosur të padisë në gjykatë zotin Zhiti “për shkaktim dëmi ndaj figurës”. Kështu njofton gazeta Panorama Online.

Sipas raportimit, padia e Presidentit në Gjykatë mban numrin 9994. Ai me anë të padisë kërkon ndëshkimin e  të paditurit për ‘shkaktim dëmi të figurës” së presidentit.

Para do kohësh, përmes një interviste në gazetën ‘Panorama’ presidenti nishani e ka quajtur zotin Zhiti si ‘jo të qëndrueshëm psiqikisht”. Gjithashtu, presidenti duke numëruar arsyet pse nuk bëri emërimin e zotit Zhiti si ambasador në Vatikan, ndër të tjera tha se ai ‘ka qenë spiun i Sigurimit të shtetit’ gjatë periudhës që ka qenë i burgosur në burgun famëkeq të Spaçit.

Shkrimtari Visar Zhiti, një ish- i dënuar politik në periudhën e  diktaturës komuniste, ka hedhur poshtë çdo akuzë mbi përzierjen e tij në punët e spiunimit dhe informimit në favor të Sigurimit të Shtetit.

Ai ka thënë se ‘presidenti ja ku është…, i ka të gjitha mundësitë shtetërore që të ketë në dispozicion informacion, dosje, të dhëna, burgje…’ e gjithçka, por nëse gjen prova të tilla, atëherë do të thuhej se ka ndodhur e pamundura. Ai ka bërë edhe deklaratë të drejtpërdrejtë se ‘përsëris e garantoj në mënyrë ligjore se kurrë nuk kam q]enë bashkëpunëtor i sigurimit në kohën e diktaturës”.

Sfida e shkrimtarit ndaj presidentit ka qenë e bujshme në publik.

Me sa duket presidenti është impenjuar të kërkojë ‘dëmin’ e shkaktuar ose të pa shkaktuar nga zoti Zhiti dhe ka ngritur padi gjyqësore kundër tij.

Ky është funksionari i dytë i lartë që padit në Gjykatë zoti nishani si president i Republikës. I pari është zoti Bashkim Kopliku- ish deputet dhe zëvendëskryeministër i zgjedhur nga Partia Demokratike.