Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e vetingut. Kreu i shtetit ka folur për herë të parë për ligjin e miratuar në seancën e jashtëzakonshme plenare të 30 gushtit në një emision të Report TV.

Nishani ka shprehur rezerva për rolin që ligji, të cilin po e konsulton me juristë, i jep institucionit që drejton lidhur me emërimet në sistemin e ri të drejtësisë.

“Në ligjin aktual Presidenti kthehet në sekretari protokollare, në një zyrë administrative të disa institucioneve që krijohen. Për të emëruar sekretarët e apelimit apo mekanizmave të tjera, që janë administrative, i është lënë Presidentit të bëjë shpalljen e vakancave. Nuk trajtohet Presidenti i shtetit si zyrë protokollare, kështu mendon shumica e shqiptarëve. Angazhimi i juristëve të huaj është i mirëpritur sikur e ka parë kushtetuta për të monitoruar procesin. Por aty ku shikoj që nuk ka korrektesë, padyshim do të mbaj një qëndrim për ta shprehur. Por nuk kam parë deri tani dhe nuk kam motiv t’i drejtohem Kushtetueses”.

Rezerva kreu i shtetit ka dhe për rolin e shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe drejtorisë së informacionit të klasifikuar në hetimin e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Anëtarët e SHÇKB që duhet të kontrollojnë policinë, janë paraparë për të kontrolluar integritetin moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Së pari kjo nuk ka lidhje mes dy pushteteve. Së dyti,  kemi një problem, në problemin e kultivimit të kanabisit ka mjaft punonjës policie të përfshirë në mos goditjen e tyre, nuk po paragjykoj për përfshirjen në kultivim. Agjencia që duhet të hetonte pse punonjësit nuk janë angazhuar për të goditur trafikant është SHÇKB, ky institucione që nuk ka kryer përgjegjësitë ligjore ne po i ngarkojmë të tjera më madhore”.

Presidenti Nishani e quan të dështuar reformën në drejtësi, nëse në fund të saj nuk arrestohen politikanë dhe sekuestrohen pasuritë e tyre.

“Rreziku i influencave politike mbi drejtësinë mbetet ende një potencial në Shqipëri, për shkak të një tradite, apo synimeve cinike që vijnë nga politika”, tha Nishani.