Presidenti i Kosovës realizoi një takim të çuditshëm në Ankara me Kryeministrin e Rusisë Dimitry Medvedev. Në fakt, në bazë të fotografisë që e shpërndau Thaçi në rrjetet sociale nuk bëhet fjalë për ndonjë takim protokollar e bilateral, aty Medvedev më shumë duket i zënë gafil. Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit, nuk ka dhënë asnjë hollësi rreth takimit. Analisti Astrit Gashi thotë se ajo që ndodhi mes Thaçit e Medvedev nuk ishte as takim, raporton gazeta Express.

Presidenti Hashim Thaçi e ka shfrytëzuar rastin për t’i dalë përpara kryeministrit rus Dimitry Medvedev, gjatë pritjes në Ankara në kompleksin presidencial “Ak Saray”,  ku shefi i shtetit turk Recep Tayyip Erdogan, tashmë me kompetenca prej monarku, organizoi pritje për rreth 40 burrështetas, kryesisht të botës së tretë dhe miq të tij ballkanikë si puna e Edi Ramës e Hashim Thaçit.

Hashim Thaçi i cili  kritikohet për shkak të raporteve me autokratin turk e sidomos për favorin e fundit që ia bëri duke ia  dorëzuar 6 shtetas turq, pjesëtarë të Lëvizjes Gylen, të cilët kërkohen nga Erdogan me pretekstin se janë  armiq që synojnë t’ia marrin pushtetin, deshi të tregojë se udhëtimi në Ankara kësaj here ishte i frytshëm.

Ai postoi në rrjetet sociale një fotografi me Kryeministrin e Rusisë Dmitry Medvedev i cili kishte udhëtuar në Turqi për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të Erdogan me instruksione të Putin.

Fotografia ishte pak e çuditshme për faktin se Medvedev dukej se ishte duke ecur, ndërsa Thaçi sikur të ia kishte zënë rrugën, shkruan Express.

Veritas.com.al/