Një sasi eksplozivi shpërtheu pas mesnate në qytetin e Durrësit, por për fat të mirë nuk shkaktoi persona të lënduar. Ndërkohë dëmet materiale janë të shumta, pasi objekti shënjestër është në katin e parë të një pallati në hyrje të qytetit.

Sipas të dhënave të para të policisë mësohet se shpërthimi ndodhi në një lokal në lagjen numër 17 të qytetit bregdetar, në pronësi të shtetasit me inicialet K.R. Objekti shërbente si lokal dhe si bilardo.

Në vendin e ngjarjes kanë vajtur njësi të shumta policore, të  shoqëruara nga ekspertë, të cilët kanë mbledhur edhe provat materiale.

Pronari i lokalit është shoqëruar për të dhënë dëshminë në polici. Po hetohen konfliktet e mundshme të pronarit, por ende nuk ka një version zyrtar nga ana e policisë.