KOMENT

Kur me 19 tetor zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në konferencë për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se tashmë çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk u takon vetëm dy shteteve, por gjithë rajonit dhe sigurisë evropiane, ai nuk po kumtonte një opinion, por po shpaloste pikënisjen e operimit të ndërkombëtarëve në një kohë ri-dimensionimi të politikës perëndimore.

 Albanian Post, përmes burimeve diplomatike, ka mësuar për hartimin e një plani të ri euro-amerikan për t’i ndërlidhur dy procese paralele me objektiva të ndryshme në një projekt të vetëm.

Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit, me planin e ri, do të jenë instrumente të së njëjtës simfoni.

Tash e tutje, “Ballkani i Hapur do ta ketë funksionin e pajtimit në rajon, derisa Procesi i Berlinit do të ketë funksionin e integrimit në Bashkimin Evropian”, kupton AP nga burimet diplomatike.

“Kjo është formula e operimit për të ardhmen, duke i bashkuar dy projektet në një të vetëm”, thuhet në strategjinë që ka parë AP.

Formula është e thjesht, “pajtimi, përmes Open Ballkan, dhe integrimi në Bashkimin Evropian përmes Procesit të Berlinit”.

Pajtimi arrihet përmes levave të “tregtisë dhe komunikimit”, kurse integrimi nëpërmjet “bashkëpunimit”.

Pra, këto dy shtigje do të jenë komplementare me njëra tjetrën.

Dakordimi është arritur.

Franca qëndron fuqishëm prapa Gjermanisë, në qëllimin e shtyrjes së Procesit të Berlinit, kurse Gjermania qëndron pas Francës në politikën e zgjerimit të kujdesshëm, përmes Komunitetit Politik Evropian.

Në këmbim të angazhimit në çështjen e Kosovës, mbështetja amerikane është dhënë për të dyja proceset, dhe në hapat e ardhshëm, Open Ballkan dhe Procesi i Berlinit bashkohet në një qëllim.

Por, e gjitha është e varur nga pajtimi që po provohet të arrihet më së largu deri në shkurt të vitit të ardhshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes propozimit franko-gjerman  me 18 shtator.

Përkthimi i këtij propozimi në një pajtim të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, krijon mundësinë për këtë dinamikë të re zhvillimesh në rajon.

Pas njohjes de facto që Kosova siguron nga Serbia përmes marrëveshjes, nismat si Open Balkan dhe Procesi i Berlinit çlirohen nga konspiracionet dhe në vend të dualitetit të paramenduar, kompletojnë njëra tjetrën.

Në anën tjetër, Kosova fiton sigurinë e anëtarësimit në Open Balkan, ku pranohet më të drejta të plota si anëtare e barabartë mes shteteve të tjera (Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të  Zi, Serbinë dhe Bosnje & Hercegovinës).

Përmes këtij plani evropian, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet ballkanike qartësojnë relacionet me njëra tjetrën dhe paralelisht rrugën e integrimit për në Bashkimin Evropian, derisa vetë BE-ja, përmes idesë së Emmanuel Macron për Komunitetin Politik Evropian, strukturon afërsinë politike brenda BE-së, kurse Unioni përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj diku pas vitit 2030.

AP kupton se as Open Balkan dhe as Procesi i Berlinit nuk kanë nevojë të rimodelohen dhe të dyja u qëndrojnë besnike nismave fillestare, përveç se qartësohet bashkimi i tyre në qëllimin final dhe konkretizohen objektivat për pajtim dhe integrim.

Për vrojtuesit e vëmendshëm, dromca të këtij plani të ri i deleguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte dhënë gjerësisht në vizitën e tij të fundit në Kosovë.

Në intervistën e tij për Televizionin 10, Escobar deklaronte se “do të donim ta shihnim Kosovën më të rreshtuar sa u përket çështjeve të stabilitetit rajonal”.

Në përgjigjen pasuese, tabloja e Escobar bëhet edhe më e qartë.

“SHBA-të përkrahin të gjitha nismat që e afrojnë rajonin, përfshirë Open Balkan”, thotë ai,  duke shtuar “por, duhet të jenë në përputhje me procesin e Berlinit”.

Albanian Post ka informacion se Escobar këtë elaborim të planit të ri ia kishte bërë edhe kryeministrit, Albin Kurti, në takimin e tyre të fundit.

Një shpalosje më e gjerë e ristrukturimit dhe qëllimit të planit pritet të bëhet ditët në vijim, duke filluar nga samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që nis këtë të enjte.

Albanian Post nga burimet gjithashtu kupton se Kurti kishte shprehur shqetësimet e tij për këtë plan të ri, për shkak të kundërshtimit të ashpër që ia kishte bërë Open Balkan-it prejse u mor si iniciativë në vitin 2018.

Kryeministri kosovar e nënkuptonte Open Balkan si një nismë që i bën karshillëk Procesit të Berlinit dhe gjithashtu argumentonte se s’ka përkrahje nga perëndimi.

Por, me planin e ri të dyja argumentet e humbin validitetin.

2016: Procesi i Berlinit, Samiti ne Paris

Procesi i Berlinit vs. Open Balkan jo, por Procesi i Berlinit & Open Balkan

Për rikujtim, Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Por, shenjat e plogështisë së procesit, prodhuan në vitin 2018 një tjetër iniciativë, atë të Open Balkan që para se të pagëzohej zyrtarisht njihej si Mini-Schengeni Ballkanik.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia si themeluese ftuan edhe tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor të fillojnë bashkëpunimin derisa vazhdojnë angazhimin drejt BE-së.

Siç ishte prezantuar Open Balkan, shtetet nuk do të ishin të obliguara në marrëveshje multi-laterale, përveç nëse shohin interesa individuale ta përkrahin një propozim të caktuar.

Mundësia do të ishte, që brenda Open Balkan, të nënshkruani edhe marrëveshje të ndryshme dypalëshe, të cilat nuk afektojnë dhe as obligojnë shtetet e treta pjesë të nismës.

Themeluesit e Open Balkan: Edi Rama, Zoran Zaev, Aleksander Vucic

Që nga samiti zyrtar kur u mbajt me 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad, takimet kanë vazhduar edhe në Ohër, Durrës e Beograd.

Në samitin e fundit me 2 shtator të këtij viti në Beograd, veç tri themelueseve, në cilësi të pjesëmarrësit vëzhgues të pranishëm ishin edhe kryeministri malazez, Dritan Abazoviç dhe shefi i këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Të dy kishin shprehur dëshirën që në një të ardhme të afërt t’i bashkohen nismës.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – deri më tani.