Banorët e Torovicës në Lezhë kanë pritur me protesta Kryeministrin Edi Rama. Banorët kërkojnë investime për ndërtimin e rrugës e cila është shkatërruar prej vitesh. Mbanin pankarta në duar me mbishkrime “varfëri, kanabis, duam rrugë,”

Ministria Lindita Nikolla ka tentuar të negociojë me protestuesit, duke u premtuar se rruga e Torovicës do të ndërtohet shumë shpejtë, por këta të fundit e kanë kundërshtuar ashpër duke i kërkuar të largohet nga vendi i protestës.

“I kanë marrë njerëzit dhe i kanë çuar në komisariat për t’i trembur, presion psikologjik i paparë. Kanë ardhur edhe na kanë shoqëruar. Premtime, premtime dhe asgjë nuk është bërë asnjëherë. Ne duam ndërtimin e rrugës jo premtime, se dimë se gënjejnë, ministria Nikolla nuk dha ndonjë afat përveç premtimit se do ndërtohet rruga, ne do vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona,” tregoi një protestues.

Në Lezhë do mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave, ndërsa protestuesit nuk janë larguar duke bllokuar rrugën, policia ndodhet në vendngjarje për menaxhimin e situatës.