Policia e Fierit ka dhënë informacione zyrtare pas shoqërimeve të kryera gjatë pasdites së djeshme dhe natës në radhët e qytetarëve që protestuan dje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit e PD i vunë zjarrin gomave, penguan qarkullimin rrugor dhe ndaluan kryeministrin që të vazhdonte rrugën në kryerjen e detyrës shtetërore.

Policia ka arrestuar në flagrancë 4 shtetas si dhe procedon penalisht në gjendje të lirë 41 shtetas të tjerë, të cilët akuzohen se gjatë ditës së djeshme kanë marrë pjesë në grumbullime të paligjshme dhe kanë mbajtur të bllokuar rrugën duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve.

Policia e Fierit ka shoqëruar disa persona pas protestave të djeshme edhe në Roskovec e Patos. Sipas burimeve nga PD e Fierit bëhet fjalë për 50 protestues të shoqëruar, ndërsa nga policia nuk ka ende informacione zyrtare.

Gëzim Caushi, kreu i PD Roskovec tha se mbi 10 persona janë shoqëruar mbrëmë në Roskovec. “Protestuesi i fundit ka dalë nga policia në orët e para të mëngjesit. Aktualisht vetëm një nga protestuesit vazhdon të qëndrojë në komisariat. Bëhet fjalë për Ismail Siqecan, të cilit iu shemb magazina me gjithë furrën e bukës brenda”, tha Caushi.

Veritas.com.al/