NgaLeart Skiro/  Veritas.com.al/

Informacioni ka “rrjedhur” në mediat online. Ambasadori i Shteteve të bashkuara, Donald Lu, ka kërkuar sot një takim urgjent me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Pse bie ky lajm si një “çudi” për njerëzit, jo veç për gazetarët?!

Njerëzit janë të vëmendshëm, veçanërisht rreth çdo lëvizjeje që ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara. Ambasadori është parë këtu kurdoherë si një “mbret” amerikan. Domethënë si një njeri që ta zgjidh problemin menjëherë dhe pa pyetur njeri. Kjo është arsyeja e parë pse shkaktoi çudi një kërkesë “urgjente” e ambasadorit për të takuar Presidentin.

Arsye tjetër është se, njerëzit kanë vënë re se qe nga “Reforma në Drejtësi”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara është “zhdukur” nga skena ku qëndronte jo vetëm gjatë “spektaklit”, por gjithë kohës. Pse u zhduk në atë moment që ishte momenti kur ambasadori i SHBA, Lu, dhe ambasadoresh e BE, Vlahutin, djersitën nga barra e fitores që korren?!  Shumë njerëz e lexuan sikur aty përfundoi misioni i tyre. Aq më fort e lexuan kështu duke pasur parasysh edhe situatat në vendet e tyre: Lu para zgjedhjeve emocionuese në Amerikë dhe Vlahutin para një BE që nuk i dihet deri kur është BE.

Më në fund edhe arsyeja pse nuk u duken ambasadorët e rendësishëm gjatë periudhës kur mbaheshin “zgjedhje dhe kanabis” në Dibër. Zoti Lu tha se ky është një problem i demokracisë shqiptare, por sidoqoftë nuk është aq e besueshme. Se atëherë edhe Vettingu i Reformës do  të ishte një problem “i demokracisë shqiptare”.

… Këto janë arsyet pse njerëzit sot u mahniten me “takimin urgjent” të kërkuar nga ambasadori Lu. Këtu dalin pyetje të tjera, ca prej tyre edhe shumë të mprehta. Le të kujtojmë se në 11 Nëntor, ora 19.00, Presidenti i Republikës, Nishani, ka thërritur mbledhjen e Këshillit të Lartë të Sigurisë për të diskutuar mbi “sigurinë kombëtare që po cenohet nga narkotikët”.

Çfarë e nxori zotin Lu nga zyrat e ambasadës direkt te Presidenti? Fakti që po zgjohet krimi i kultivimit dhe trafikut të narkotikëve?

A është zoti Lu i interesuar që të mbillet apo të mos mbillet kanabis në Shqipëri? Po segmentet që kanë të bëjnë me zotin Lu nga ShBA, çfarë interesi kanë? Gjatë gjithë kohës është thënë në media e në publik “pse po hesht e po zhduket zoti Lu para kanabisit?”

Vallë pse kërkohet takimi sot kur Presidenti ka thërritur në tavolinë “Sigurinë Kombëtare”? Për të prurë ujë apo për të prurë verë në këtë tavolinë?

/Veritas.com.al/