Frrok Çupi/

Tani nuk bëhet më; e cytën dhe u rrënua. Partia Demokratike paska qenë në një gjendje shkrehjeje; sapo ta prekje- binte përdhe. A nuk iu ka qëlluar t’i ndodheni afër një objekti që po bie, ndoshta edhe afër një çatie në hava; aty njerëzit rrotull thërrasin: “Mos e cyt, mos se bie…”.

Ja kështu. Tani PD nuk bëhet më. Ashkla e fundit në murin që mbante PD-në në jetë, do të ishte dorëheqja e kryetarit që e solli deri në këtë derexhe. Sikur Lulzim Basha të largohej në momentin kur e hodhi në greminë ‘makinën’ PD, atëherë edhe mund të kishte një shpresë sado të vogël. Tani këta që thonë se ‘do ta ringremë’ PD-në, kam frikë se kanë optimizëm të pakorrektuar.

Tanimë është mbyllur cikli. Skenarët që paraqesin para PD-së janë, të gjithë, greminëse.

Skenari i parë:

Fitorja e Lulzim Bashës si kryetar i PD. Sigurisht që do të ndodhë; aq më tepër që zgjedhjet janë ‘botërisht’ të manipuluara, më shumë të manipuluara se kur u zgjodh për herë të parë në 2013. Manipulimi: Kryetari ‘i ngrirë’ që tashmë nuk e pranon as demokracia kineze… Listat sekrete të anëtarëve; mund të votojnë komunistë, ballistë, dhe të vdekur… Gjithë mjetet administrative të PD- në dispozicion të kryetarit ‘të ngrirë’ dhe kundër tjetrit… Propaganda (ajo që është- copë copë) në shërbim të kryetarit ‘të ngrirë’… Makina e shpifjes dhe e sulmit ‘moral’ kundër oponentëve të kryetarit ‘të ngrirë’ ka marrë rrugë nëpër media dhe internet… Në fund, edhe sikur të mos fitojë Basha, prapë fiton sepse votat numërohen nga dora e tij (dmth., shërbëtorë e servilë)… Kur të fitojë Basha, në atë moment PD nuk ka më. Në atë moment ish- PD do të përqeshet, do të flitet si për ‘Ali Komikun”. Komedia do ta shoqërojë që nga Parlamenti deri në ekrane. E dini? Ishte një personazh në filmin e ‘teta Ollgës’, shumë i kuruar, i krehur, me kostum, skulptor dhe quhej ‘Koçi’ që kërkonte nuse… Ai ‘vdiq’ për shkak të komikes.

Skenari i dytë:

Fitorja e Eduart Selamit. Ky është më shumë një test se sa një kandidat që fiton zgjedhjet. Test për kujtesën e Partisë Demokratike dhe për vlerën e principit demokratik. Nëse nuk fiton, atëherë PD ka humbur kujtesën dhe, aq më mirë që nuk fiton në një parti pa kujtesë. Kjo parti mund të ketë harruar edhe Azem Hajdarin- për të cilin betohen servilët përditë.

Por nëse fiton Eduart Selami, atëherë humb një pjesë shumë e madhe e PD; humb pjesa që ka lidhur interesa me pasuri, me para pa fund, ndoshta me krim, ndoshta me frikë nga Drejtësia… Kjo nuk mund të humbë; ose ne nuk guxojmë të mendojmë se PD është kaq e ndritur saqë të hedhë poshtë menjëherë pjesën e kalbur e të rrezikshme. Në qoftë se do të fitonte Selami, atëherë duhet të kthehemi në pikën e fillimit, para ‘dinosaurëve’ që erdhën për të marrë sa më shumë në parti. Ohu!, e ku ndodh kjo?. PD është nisur për të mos u kthyer kurrë më.

Skenari i tretë:

Deri të shtunën, më 22 korrik, do të vijë një ndriçim i madh nga Qielli; e zëmë. Ky ndriçim do të thotë: “Ej, hapni rrugën! As Luli, as Edi nuk do të jenë kryetarë partie. Basha jep dorëheqjen. Le të vijnë të gjithë personalitetet e Demokracisë (jo thjesht të PD) dhe të gjejmë rrugë”… Por a mund të ndodhë kjo?… Nuk besoj. Por ta zëmë se ndodh. Ndriçimi nga qielli, ose ‘deus ex machina’, në fakt mund të quhet ‘deus ex Berisha’. Të gjithë presin ardhjen e  Berishës. Por as kjo nuk ndodh, të paktën ai vetë është betuar. Edhe po ndodhi nuk dimë nëse ai nuk vjen prapë për Lulin… Zgjidhja me ‘qiellorët’ është aq tokësore sa edhe një përrallë… Atëherë mund të themi që ‘po ndodhi që të mblidhen vlerat e PD’ ajo çfarë është e sigurt është se kjo nuk ndodh.

Skenari i katërt:

Të pritet disa muaj, ose edhe një vit, kur kryetari ‘i zgjedhur’ Basha të kuptoë se është bërë akoma më qesharak dhe se po e çon ‘makinën’ më thellë në greminë… Ohu!… Edhe kur PD do të shkojë drejt zhdukjes, ai do të thotë: “Republika e re fluturon…”.

Ç’deshën që e cytën, vëlla?!

Veritas.com.al/