Frrok Çupi/

Pardje presidenti amerikan, Barack Obama, mbërriti në Athinë; ndërsa dje, që aty “shpalli”  Luftën Cvile dhe Luftën e Tretë në botë. “Duhet t’i bëhemi mburojë rritjes së disa lloje nacionalizmash të egër që po godasin planetin, si identiteti etnik ose tribalizmi”- tha. Pastaj i ndau njerëzit e botës në “nesh” dhe “atyre”. Presidenti i Amerikës u bëri thirrje popujve që “të jenë vigjilentë” për të ardhmen.

Gjithë mediat e komentuan deklaratën e Obamës në konferencën e shtypit se “iu referua” Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.

“Ne e dimë çfarë ndodhi kur Europianët nisën ta ndanin veten sipas të ndryshmëve…”, tha duke e quajtur shekullin 20 “një banjë gjaku” si rezultat i çfarë ndodhi.

“Ai gjithashtu paralajmëroi amerikanët që të jenë vigjilent, duke cituar Luftën Civile”- thotë lajmi…

… Obama është nisur për në Gjermani, por la pas hije dyshimi dhe pyetjesh rreth deklaratave në Athinë.

E para, pse Obama i shkarkoi meraqet e Luftës pikërisht në këtë moment? Presidenti  po përgatitet të largohet nga Shtëpia e Bardhë, dhe natyrshëm, në vizitat e fundit do të lëshojë edhe mesazhet “rezyme” të presidencës. Po pse të lëshojë “frikën për luftë”. Popujt e botës nuk e presin këtë nga kreu i shtetit të Amerikës; po të vijë lajmi nga ky “Akropolis” i botës, atëherë frika bëhet e tmerrshme.

Atëherë pse i lëshoi këto thirrje zoti Obama? Një nga “justifikimet” më dashamirëse është gjendja shpirtërore pas humbjes së aleates Clinton në zgjedhjet presidenciale. Obama- si asnjë president më parë- doli hapur në mbështetje të kandidates së partisë, dhe luftoi egër kundër rivalit të saj, Trump. Mediat botërore po lëshojnë mijëra prova se kjo nuk ishte vetëm arsye e “familjes politike”, por punë interesash të “moçalit” të interesave financiare ku paskësh rënë “elita liberale” përballë klasës punëtore. Me siguri Obama “kërcënoi” për Luftë në botë, me qëllim që t’u jepte mesazhe “përkrahjeje” të vazhdueshme aleatëve që la në Uashington, si Clintonët, Sorrosit, Morganët dhe Rothchildët…

Përsëri një pyetje tjetër: A mund të ndodhë që zoti Obama, që më datën 21 Janar 2017 (kur lë “Shtëpinë”) të angazhohet në studime dhe fondacione për historinë politike të luftërave në Europë dhe në Botë?… Kjo nuk ka shumë të ngjarë, sidomos po të ndjekësh me kujdes këtë fjalim në Athinë. Aty presidenti shfaqet i papërqendruar, nervoz, thuajse në panik… por mbi të gjitha fare pjesërisht i ditur mbi Luftërat dhe Europën. Duket më shumë si një militant që spekulon me historinë për të sulmuar kundërshtarin. Sepse dihet që as Lufta e Dytë, as e Para, nuk plasën për shkak të “identitetit në fis”, as për shkak të “etnive”- siç këmbëngul presidenti. Jo, ato kishin në themel krizat botërore, sidomos krizat e varfërisë së shumicës dhe pasurimin e pakicës. Konkluzionet “entik” dhe “tribal”, zoti Obama i tërheq si “argument” kundër Trump që po e akuzon si “kundër hispanikëve” dhe “kundër zezakëve”. Kjo duket qartë. Ndërsa kriza më e madhe financiare botërore nisi dhe u zhvillua përgjatë mandatit të tij presidencial, pas vitit 2008.

Edhe një pyetje e fundit: Pse “Lufta!” shpallet pikërisht në Greqi? Greqia është pika e ndjeshme e Europës që vuajti e po vuan më shumë nga kriza e pas- vitit 2008. Vallë Obama po bënte apologjinë e tij aty ku u bë apologjia e Sokratit?! Do të ishte çudi, por në qëndrimin e tij nuk u duk asnjë shenjë e filozofisë sokratike. Atëherë, pse zgjodhi Greqinë, vendin në breg të Europës dhe në kufi me Lindjen e Mesme, ku lufta ka marrë 6 milionë jetë njerëzish vetëm në Siri gjatë presidencës së Obamës?! (6 milionë është edhe numri i viktimave çifutë në tmerrin hitlerian)… Është ndjenjë frike, apo sfide?

Dhe më në fund, pjesë e kësaj pyetjeje të fundit: Pse vallë në Athinë ku Amerika paragjykohet që prej 43 vjetësh si “në krah të Juntës” së diktatorit Papadopoulos që e mbuloi Greqinë në dhunë e në gjak? Ishte viti 1973 kur Revolucioni Grek kundër Juntës nisi pikërisht nga studentët e Politeknikut të Athinës. Por këtu na vjen një provë misterioze: Obama mbërriti në Athinë më 14 Nëntor 2016, dhe të nesërmen mbajti fjalën për “Luftën Civile”; ndërsa studentët e Athinës u ngritën kundër Juntës pikërisht më 14 Nëntor 1973. Çfarë është kjo “koincidencë”? Protokolli i Shtëpisë së Bardhë nuk mund të ketë koincidenca banale; aq më pak me Greqinë ku nuk është mirëpritur për 43 vjet për shkak të atij Nëntori të vitit 1973…. Obama, duke na treguar tragjedinë e Athinës, na thotë të mbajmë sytë te “vakëfët” e Luftës?! Sepse lufta gropos krizat aktuale?!

Ka mistere rreth sjelljes me “Luftën” në Athinë…

Veritas.com.al/