Nga L. Skiroi/ Veritas.com.al/

Shteti (dmth., qeveria që është makina e forcës shtetërore) ka rënë në nervozizëm. Vetë brenda 24 orëve të fundit e kemi parë qeverinë ‘të egërsuar”. Nuk dihet se kundër kujt, por me fytyrë të egër. Në fund të fundit, askush nuk do t’ia dijë se “me kë e ka qeveria”. Fëmijët dhe shtëpiaket që nuk kanë dritare tjetër informimi, që nga ekrani i televizionit marrin frikë. Edhe vetë televizionet kanë një zakon të keq, që i tregojnë politikanët në pamjen më të frikshme. A nuk e shikoni herë pas here një foto të Taulant Ballës (shpresën e fundit të Rilindjes) se si jargavitet, me gojë të hapur në mënyrën më të shëmtuar, më pështyma kudo! Kush nuk neveritet prej këtyre pamjeve. Ndërsa pjesa e dobët e shoqërisë po frikësohet.

Pjesa tjetër, e quajtur e fortë, kjo është akoma më e frikësuar. Këta janë “burrat”, që për të mos dëshmuar frikë, manifestojnë servilizëm. Kudo servilizëm, në rrugë ku policia i dhunon, në cep të pallatit ku marrin gjoba kot, në dyqane ku blejnë bukën e ditës, në kafe ku rrufisin rakinë e ditës që në shtatë të mëngjesit, në plantacionet me kanabis,… kudo. E vetmja herë që dikush u ngrit të thotë një fjalë për “të drejtën”, është hera e fundit, por edhe kësaj here jo të gjithë janë burra. Peshën e protestës e mbajnë një vajzë studente dhe një avokat. Por sidoqoftë është më mirë, të paktën për pamjen qytetare.

Vajza studente proteston për të drejtën e arsimit, ndërsa avokati për të drejtën që të jetojmë pa rrezikun e kancerit që vjen nga bota e mbetjeve të botës.

Megjithatë, sapo u shfaqen shenjat e para të protestës qytetare, shtei reagoi me nervozizëm.

Veç brenda 24 orëve, jo më shumë, shteti tregoi dhëmbët. Televizionet “gabuan” që transmetuan pamjet e egra dhe të shëmtuara. (Kujtoni portretin e Taulant Ballës- shpresa e nesërme- dhe do të trembeni).

Brenda 24 orëve, sipas njoftimeve nga Policia dhe nga mediat, janë dhunuar protestuesit kundër ligjit për mbetjet. Dy prej protestuesve janë ndaluar nga policia. Njerëzit po shikojnë pranga dhe nervozizëm policësh në rrugë. Po shikojnë fytyra të trembura njerëzish.

Studentja që guxoi të qëllojë ministren, sado që e përmbajti fytyrën e saj të qetë, ka vuajtur shumë derisa arriti atë pikë dhe pas saj.

Në Komisionet Parlamentare po manifestohet më shumë forca e makinës së forcës. Aty përfaqësuesit e maxhorancës bërtasin më shumë; nuk i dihet nëse kërcënojnë apo tremben edhe për vete. Kjo do të ishte më e keqja, sikur trimëria e tyre të bashkohet edhe me panikun. Socialistët që vijnë nga tradita e partisë komuniste (e punës) kanë devijuar: komunistët trembeshin veç nga imperializmi dhe kapitalizmi i jashtëm, por jo nga të vendit; të vendit shkeleshin si miza.

Këta, me sa duket, tregojnë trimëri+frikë sepse e dinë se tani nuk mund të shkelin si miza.

Veç brenda 24 orës: Ministri i Rendit del nga salla e Komisionit Parlamentar me pështyma në buzë, nervoz te zoti! Drejtori i përgjithshëm i Policisë- një portret që duket e nuk ka shkuar akoma në klasën e parë- po ashtu, me arrogancë iku nga salla. Arsyeja: Iu kërkonte llogari opozita!

Dy deputetë të opozitës janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, për një javë a për dhjetë ditë…

Edhe kjo ka ndodhur për shkak se shteti (qeveria) është përfshirë në frikë. Nga frika ka rënë në nervozizëm.

Gjendja psikologjike e shtetit (qeverisë) këto kohë është parë në disa intervale: Nga megalomania në vetëkënaqësi, nga vetëkënaqësia në kërcënim; nga kërcënimi në frikë; nga frika në nervozizëm… dhe tani pritet të bjerë në panik.

Një shtet (qeveri) në panik, rrezikon lirinë e secilit individ.

/Veritas.com.al/