Frrok Çupi/

Kur nuk mundën të hiqnin Çadrën ‘me një gisht’, këta kanë nisur taktikën ‘me një gisht’ për të hequr Opozitën. Kanë angazhuar edhe disa zëra perëndimorë që të thonë se ‘zgjedhjet i njohim edhe pa opozitën’. Fillimisht ambasadori amerikan Lu, dhe sot ambasadoresha gjermane Susane Shutz. Pak javë të shkuara ka thënë kështu edhe ministri Gabriel… Kanë thënë edhe disa të tjerë…

A hiqet Opozita nga politika?

Këta nuk po thonë se hiqet nga sistemi i ‘polisit’ opozita në Athinën e Aristotelit. Të gjithë filozofët dhe anëtarët e ekslezisë Athiniote do të qeshnin e do të thonin se ‘të marrët’ e shekujve të ardhshëm nuk i marrim në konsideratë. Kur u themelua demokracia, themeli ishte ‘tjetri’ përballë, oponenca.

Këta nuk po thonë as se ‘nuk e njohim opozitën’ në Amerikë ose në Gjermani. Sigurisht që jo. Zëri i zotit Donald Lu, ose i zonjës Susane Shutz nuk do të dëgjoheshin as në kafenë e ‘katundit’- siç i quajnë shqiptarët e Amerikës. Sa njerëz të pa rëndësishëm kemi këtu rrugëve që edhe po të thonë ‘hiqe opozitën’ kush ua merr në konsideratë!?

Këta nuk po thonë se ‘i njohim zgjedhjet pa opozitën në Siri’. Atje është një vend i largët, madje e shikojnë me frikë; as ia përmendin emrin. Aq më tepër se e dinë që në Siri, të paktën dy udhëheqës të fortë: Trump dhe Putin kanë sy e veshë… Këtu është tjetër gjë. Shqipërinë që e ç’izoluan studentët dhe intelektualët e dhjetorit 1990, e kanë deformuar informacionet e të dërguarve të Europës. Ata i kanë rritur rrogat e tyre, numrin e bodyguardëve, çmimin e vilave dhe vlerën e haraçeve qeveritare- vetëm duke thënë se ‘këtu është keq’. Tani së fundi po thonë se ‘këtu nuk ka opozitë’. Edhe trashëgimia majtiste shqiptare se ‘nuk jemi as Lindje as Perëndim’- sipas presidentit komunist Alia, shpesh u shërben si bazë ‘strategjike’… Ndërsa në Siri, Afganistan dhe Pakistan iu duket më e zorshme të luajnë…

Këta po thonë që të hedhin poshtë opozitën në Shqipëri…

Është njësoj si në përrallën e njeriut të ‘pamend’ i cili mburrej lart në pemë pse po priste degën ku po qëndronte. Dëbimi i opozitës nga ‘shtëpia e shtetit’ është shumë herë më keq se në periudhën e tmerrit kur opozita as njihej dhe as ishte thërritur ndonjë herë në këtë shtëpi të përbashkët që quhet ‘shtet’. Kthimi në invers kushton shumë. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë në vitin 1990 hapi portat  dhe pastaj iu shqyen muret nga njerëzit anti-komunistë dmth., të Opozitës; ata u nisën me anije dhe me trena për në Gjermani e gjetkë në Europë. Pa mendo sikur zonja Suzanë e ambasadës të mbyllë ‘valvolat’ e opozitës?! Por jo vetëm zonja Suzanë, edhe çdo zonjë e zotëri tjetër… Këta janë ‘hiçi’ në përgjegjësitë që do të ndjejë vetë ‘Roma’ (dmth., Europa) nga përjashtimi i dytë e Opozitës.

Është njësoj si tërmeti që nis nga sipërfaqja dhe shkon në thellësi të tokës. Europa tani është një ‘zonë sizmike’ shumë e dobët. Europa po shpërbëhet. Papa Francesku i Romës tha sot se ‘Europa ka hyrë në rrezikun e marrjes fund” (‘fall apart’- shkruajnë agjencitë në anglisht). Këta duan ta heqin gurin që këtej nga fundi (Ballkan), por është njësoj, ose më keq se ta hiqnin nga nga qendra. Në Paris po hiqet guri i fundit; si njëri edhe tjetri kandidat për president do ta bëjnë nul BE-në. Edhe në Romë janë gati t’i heqin gurin e Europës; edhe në Poloni, Finlandë, Hungari… Vendet e vetme që kanë mbetur duke u lutur ‘na pranoni’- si Shqipëria, duan ta lënë pa opozitë. Atëherë ta lënë në vlim! Sa për Aristotelin- që nuk i lejon-  nuk mund të dinë gjë këta, por të paktën të dinë rrezikun konkret.

Roma nuk ra nga lufta; Roma dhe perandoritë bien nga kompleksiteti. “Që nga Shekulli i Tretë, Roma shtonte gjithnjë e më shumë kompleksitet: Ushtri të dyfishtë, kalorësi, provinca që kishin nevojë për burokraci të tyre, gjykata dhe avokati- shkruan Joseph Tainer,- filozof i shquar i kohës. Pse e bënte Roma këtë?- pyet filozofi. Dhe përgjigjet: ‘Vetëm për të ruajtur status- quo-në e saj. Në fund, nuk mundi të përballonte dot më atë lloj kompleksiteti dhe, ra!…”. Si të tregosh sot mbi ‘teknologjinë’ e rënies së Perandorisë BE.

Teori të tjera qarkullojnë se “Perëndimi do të bjerë” nën sulmin e emigrantëve… Përsëri nga një kompleksitet tjetër; jo nga lufta. Kufizimi nga disa shtete ka nisur; dmth., kjo lexohet se përpjekjet e Perandorisë për t’i bërë ballë periferisë, kanë nisur… Ka mijëra ‘gurë’ të vegjël që po e rrëzojnë perandorinë nga jashtë. Po i shtojnë edhe rastin ‘Albania’.

… Këta flasin serbes se me ‘një gisht’ mund ta lënë periferinë pa Opozitë; ose akoma më keq: Opozitën të ngujuar… Jo!