Koment/

Sikur njëri nga elementët e shtetit të humbë ekuilibrin, ra gjithë shteti. Kaq e rrezikshme është mos- ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese. Aq më tepër në një shtet të dobët si shteti ynë- kjo bëhet edhe më alarmante…

Por praktikisht Gjykata Kushtetuese nuk funksionon që nga dita e sotme. Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit Fatos Lulo e ka lënë Gjykatën Kushtetuese me 5 anëtarë, nga 9 që duhej të ketë. Me këtë numër anëtarësh- thotë kryetari i Gjykatës Kushettuese, Bashkim Dedja, Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime.

Pas vendimit të sotëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë përfundimisht mund të cilësohet e bllokuar dhe madje inekzistente.

Pavarësisht se gjyqtari Lulo sipas avokatit Visha, do të ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit, ai nuk mund të ushtrojë më detyrën. Neni 62 i ligjit të Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve.

Por edhe para këtij vendimi ka pasur një debat të madh për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Tani pas shkarkimit të Lulos, ajo përfundimisht, nuk merr dot më vendime.

Gazeta ‘Koha Jonë” në një koment të saj shprehet se  “dikush e ka bllokuar kastile që të mos jetë efektive”, duke e lenë formalisht për disa muaj sa të mbarojnë punët e tyre në Qeveri. Aktualisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe ky proces duket se do të dojë një kohë të gjatë, pasi me hyrjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun.

Edhe pasi të kryhet kjo procedurë emrat e kandidatëve do të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.

Sipas ligjit, 5 gjyqtarët e mbetur nuk plotësojnë kuorumin për zhvillimin e një seancë të rregullt.

Veritas.com.al/