Në kulmin e debatit politik mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, qeveria ka miratuar projektligjin për ngritjen e kësaj strukture që do të hetojë korrupsionin tek zyrtarët e lartë.

Drafti është pjesë e ligjit për Policinë e Shtetit dhe përcakton se Byroja Kombëtare e Hetimit do të organizohet si një strukturë e veçantë e policisë, që ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit dhe merr në shqyrtim veprat penale të korrupsionit që janë kompetencë lëndore e Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Organizimi dhe funksionimi administrativ i kësaj strukture përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit ndërsa veprimtaria procedurale penale e Byrosë drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.

Emërimi i drejtuesit të kësaj strukture që do të ketë një mandat 5 vjeçar me të drejtë riemërimi është përgjegjësi e ministrit të brendshëm me propozim të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit dhe pëlqim paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm.

Kryeprokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e BKH-së, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi.

Prokurori i Përgjithshëm do të caktojë prokurorët nga Krimet e Rënda që do të shërbejnë në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe kreun e tyre, duke kërkuar për këtë rast mendimin e ministrit.

Do të jenë prokurorët ata që do të mbikëqyrin të gjithë veprimtarinë procedurale penale që kryhet nga BKH-ja.