Vogëlushja 2-vjeҫare Altea Jubi, e cila është djegur me qumësht në 70% të trupit, tani ka një shans më shumë për të jetuar, falë ndërhyrjes së qeverisë.

Foshnja do të dërgohet për kurim të specializuar në Turqi.

Kryeministri Edi Rama, pasi u njoh me rastin e vogëlushes- rast që ka prekur opinionin publik, ka kërkuar informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të saj, pas të cilit është kujdesur për t’i siguruar një kurim më të specializuar të menjëhershëm.

Deputetja e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastarliu, e cila vizitoi sot 2-vjeçaren, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, konfirmoi se tashmë është siguruar transportimi i foshnjës në një klinikë të njohur për trajtime të tilla në Turqi. Sipas Manastarliut, gjendja e vogëlushes paraqitet e rëndë, ndaj u mundësua edhe ndërhyrja sa më e shpejtë për t’i shpëtuar jetën.

“Me porosi të Kryeministrit, i cili ndodhet jashtë vendit, unë jam këtu për të siguruar dërgimin për kurim të specializuar në një klinikë, e cila merret me trajtime të tilla në Turqi, për vajzën 2-vjeçare. Në fakt, ashtu siç referojnë edhe mjekët, gjendja është kritike. Nuk mund të jepen garanci. Por ajo çfarë ne sigurojmë është që do t’i jepet shërbimi më cilësor i mundshëm, pa humbur aspak kohë,” u shpreh deputetja Manastarliu.