Nuk janë pakëta herët kur Edi Rama rrëmon në jetën e At Zef Pllumit dhe i referon në diskursin publik tmerret që ai hoqi nën regjimin komunist si për të treguar vetëdijen ndaj ferrit të dikturës dhe përpjekjet e tij për ta çuar “hakun te i zoti”. Më 4 nëntor ishte hera e fundit. Në përkujtim të meshës së parë katolike pas dikaturës të mbajtur nga Dom Simon Jubani, Rama do të shprehej: “25 vite na ndajnë nga ajo ditë, po aq sa vite ndanin nga viti 1967, gjatë së cilit At Zef Pllumbi kujton se meshtarët fshihnin enët e shenjta të kultit nga përdhosja e barbarisë”.Por kur s’është mbushur ende muaji nga kjo ligjëratë, ata që At Zef Pllumi i quante barbarë, qeveria Rama i dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes”. Nën motivacionin “Për kontributin në luftën për Çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazi – fashistë, qeveria ka dekoruar edhe Shyqyri Çokun, zbuloi gazetari i GSH, Tedi Blushi. Çoku ka qenë hetues i At Zef Pllumit.
Në librin e tij “Rrno vetëm për më tregue”, At Zef Pllumi e përshkruan kështu atë. “Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato teshat e reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë. – Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht, si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqit prapë këtu në duert tona vjen. A e kupton apo jo? E digjove mbarmë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bamë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht”.
Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit për hetuesin e diktaturës. At Zef Pllumi e kishte kuptuar me kohë “monstruozitetin” e diktaturës që po instalonte Enver Hoxha, që me hyrjen e “partizanëve” në Shkodër. Ata që nuk e kanë kuptuar duket se janë këta që 6 dekada më vonë bëjnë heronj xhelatët e atij regjimi.
Por hetuesi i At Zef Pllumit nuk është i vetmi përfaqësues i kësaj pjese që merr medalje këtë përvjetor të çlirimit të Shqipërisë.
Janë dekoruar edhe Rakip Beqaj, zv/drejtori i Përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit, Gani Kodra, shefi i Sigurimit të Byrosë Politike, Xhafer Peci, drejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mark Dodani, një prej njerëzve më të afërm të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut në Sigurimin e Shtetit, i njohur me pseudonimin “Xhakoni”. Këtë dekoratë mirënjohje e ka marrë edhe Murat Kamani, prokurori ushtarak i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Rrahman Parllakut e Hito Çakos, për të cilët kërkoi dënim me vdekje, pasi i quajti anëtarë të një grupi komplotistësh.

Është dekoruar edhe Anastas Koroveshi, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, Qemal Hysenaj, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, Gani Keçi, sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën, e të tjerë drejtues të PPSH së dhe të ish –Sigurimit famëkeq të Shtetit Shqiptar. Elementë që, nuk do t’i portretizonte ashkush më mirë si “përndjekës e xhelatë” se At Zef Pllumit, kujtimet e të cilit i thërrasim në nevojë sa herë na duhet t’i përdorim për qëllime politike. / Lapsi.al