Qeveria ka dërguar në parlament paketën e plotë fiskale për vitin e ardhshëm e cila sjell ndryshime të rëndësishme në sistemin tatimor duke rritur taksat për disa sektorë dhe duke i lehtësuar ato për disa të tjerë. Ligji i parë fiskal që ndryshon është ai i akcizës, i cili rrit taksat për prodhuesit vendas të birrës dhe i ul ato për birrën e importit. 

Sipas draftin për birrën e vendit, akciza rritet nga 360 lekë për hektolitër që është tani në 400 lekë për hektolitër Në të njëjtën kohë për birrën e importit, akciza ulet nga 710 lekë për hektolitër në 600 lekë. Kjo masë është kundërshtuar fort nga industria vendase e birrës. “Nuk e kuptojmë se cili është synimi i qeverisë. Siç duket duan të mbyllin përfundimisht prodhimin vendas të birrës”- thotë Stefan Pinguli, prodhues birre.

 “Përderisa rritet akciza e industrisë vendase dhe ulet akciza e industrive të vendeve që importojnë të njëjtin produkt, do të thotë se kjo më shumë i ngjan një politike për t’i shërbyer një grupimi të caktuar sesa një politike që të çon në rritjen e të ardhurave të buxhetit. Po të shikosh efekti në buxhet është zero, çka do të thotë se kjo nuk është bërë për një politik për të rritur të ardhurat në buxhet, por është bërë si një politikë që ndoshta favorizon një grupim të caktuar importuesish të këtyre produkteve”- thotë Luan Bregasi.

 Rritet taksa e sigurimeve

 Aktualisht mbi çdo policë sigurimi që shitet nga shoqëritë e sigurimeve vilet një taksë e cila është sa 3 për qind e çmimit bruto. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qeveria propozon që kjo taksë të bëhet 10 për qind, çka do të çojë në një rritje automatike të çmimeve për të gjitha produktet, që nga siguracionet e automjeteve e deri tek sigurimet vullnetare. Nga rritja e kësaj takse qeveria u merr konsumatorëve 700 milionë lekë shtesë në vit.

 Po kështu për herë të parë vitin e ardhshëm, do të futen në taksim edhe trojet. Sipas propozimit të qeverisë, taksat për trojet do të variojnë nga 1400 lekë për hektarë në zonat e thella të vendit deri në 5600 lekë për hektarë në bashkitë e kategorisë së parë si Tirana apo Durrësi.

 Trefishohen kontributet

 Një tjetër taksë që rritet është ajo e kontributeve që paguhen nga të vetëpunësuarit e profesioneve të lira. Sipas paketës së re fiskale nga një janari këto kontribute do të llogariten mbi pagën maksimale dhe jo si tani që llogariten mbi dyfishin e pagës minimale. Kjo masë prek avokatët, mjekët noterët kontabilistët dhe stomatologët e vetëpunësuar.

 Sipas ministrisë aktualisht, sistemi i kontributeve për këto profesione është i deformuar, pasi një mjek që punon në biznesin e tij si i punësuar paguan tre herë më pak sigurime se sa një mjek që është i punësuar në një biznes privat ose në shtet. Me ndryshimet e reja që hyjnë në fuqi nga një janari kontributi për profesionet e lira rritet deri në 3 herë nga 6500 lekë aktualisht në 22 mijë lekë vitin tjetër. Veç kësaj një tjetër taksë me efekt pozitiv në buxhet është ajo e fjetjes, e cila nga viti tjetër do të jetë 140 lekë për çdo natë.

 Po kështu pritet që në 2016-ën të ndryshojë edhe renta mbi mineralet jometalike e cila nga përqindje mbi çmimin do të bëhet fikse. Veç këtyre nga një janari qeveria ka propozuar edhe një taksë të re prej 21 mijë lekësh në vit që do të vendoset mbi makinat me fuqi motorike më të madhe se 3 mijë kubik. Këto janë taksat që rriten.

 Lehtësohet biznesi i vogël

 Por paralelisht qeveria ka propozuar dhe një masë, e cila lehtëson një numër të madh biznesesh. Kjo është heqja e taksës për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë dhe ulja e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 5 në tetë milionë lekë. Një masë kjo që prek rreth 100 mijë ndërmarrje. Sipas relacionit shoqërues, përmes kësaj mase qeveria e lehtëson biznesin e vogël me 1.3 miliardë lekë në vit.

 Barra fiskale rritet

 Në total ndryshimet e propozuara në paketën e re të taksave e rrisin presionin fiskal në ekonomi. Edhe pse heqja e taksës për biznesin e vogël e lehtëson atë me 1.3 miliardë lekë në vit, ndryshimet e taksave të tjera e rrisin barrën me 3.1 miliardë lekë shtesë. Kjo do të thotë se rritja neto e barrës fiskale për vitin e ardhshëm do të jetë afro 1.8 miliardë lekë që gjithsesi mbetet në nivele të ulëta. (Nga Syri.net)