Gjatë prezantimit të 7 programeve të nxitjes së punësimit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Kryeministri Edi Rama vuri theksin tek arsimi profesional si mënyra më e mirë për uljen e papunësisë në vend. Ai madje thumboi kritikët e nismave të qeverisë që drejton, në mbështetje të arsimit profesional.

Edi Rama, Kryeministër: “Më ka ardhur shumë zor kur kam parë një profesor mendimtar i shquar, i cili e kishte shqyer gojën deri aty sa të thoshte ç’janë këta që ju kërkojnë shqiptarëve të kenë zanate apo të punësohen çirak tek privati kur shqiptarët kanë diploma. Ky është problemi.”

Duke ironizuar me drejtësinë, kryeministri përsëriti idenë se vendi ka më shumë nevojë për profesionistë se juristë.

Edi Rama, Kryeministër: “Prandaj drejtësia këtu ka ecur më mirë se kudo sepse kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë. Është një fabrikë e shkëlqyer e teknologjisë së lartë, e gatshme për të hapur vende pune, por zhvillimi është i penguar sepse nuk ka kasapë. Juristët mund ta bëjnë kasapin kur bëjnë gjykatësin, por jo kur kanë përpara mishin”.

Kryeministri tha se një kontribues në uljen e papunësisë është edhe reforma në sistemin e arsimit duke i dhënë prioritet atij profesional.