Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në deklaratën e përbashkët për mediat me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, ka folur edhe një herë për zhgënjimin e mosmbajtjes së premtimit nga BE-ja për integrimin e Shqipërisë.

 Sipas Ramës, sa më parë të bëhet kjo, aq më shumë do të jetë në vetë nderin e Bashkimit Evropian.

Siç e ka thënë edhe herë të tjera, kryeministri theksoi se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj.

Kështu që, tanimë, i mbetet fjala Këshillit Evropian.

Ai shtoi se me Borrell-in kanë diskutuar edhe për shqetësimin e madh që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat që janë shfaqur në Evropë.

Numri një i Qeverisë paralelizoi situatën e krijuar në Ukrainë me atë që Shqipëria ka kaluar dikur.

“Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës së izolimit dhe botës që kemi sot”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria ka një rol kyç në Këshillin e Sigurimit.

Rama theksoi se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se ia ka kërkuar njeri.

“Ne jemi anëtarë krenarë të një aleance siç është NATO dhe po ashtu jemi evropianë krenarë dhe shqiptarë që shohim nga Evropa”, tha ai.

“Mos veproni njësoj si me vaksinat”

Rama solli në vëmendje se në këtë pikë të krizës nuk duhet vepruar njësoj me skemën e ndarjes së vaksinave gjatë periudhës së pandemisë.

“Do vazhdojmë të njëjta punë që kemi bërë dhe na afrojnë më shumë me standardin e BE-së. Fola edhe për domosdoshmërinë që nëse unioni do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike që është pjesa më e rëndë e krizës dhe pasojave të tjera të luftës të mos e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë si e lanë me skemën e vaksinave”, u shpreh ai.

Rama ka kërkuar që të nxitohet projekti i korridorit të 8-të.