Çelja e negociatave të anëtarësimit në vjeshtë vetëm me Maqedoninë e Veriut, duke lënë jashtë Shqipërinë, do të ketë pasoja të dëmshme për të gjithë Ballkanin. Është ky paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama, në një intervistë dhënë gazetarit të Euroneës, Jack Parrock, nga vila qeveritare në Dhërmi.

“Kjo do të ishte jostrategjike, do të ishte jo vizionare, sinqerisht do të ishte e dëmshme për rajonin. Në të njëjtën kohë mendoj se do të ishte e padrejtë. Maqedonia e Veriut bëri një progres të jashtëzakonshme përmes Marrëveshjes së Prespës dhe e meriton të shpërblehet, por pyetja është a na duhet një konflikt për t’u vlerësuar për atë që bëjmë?”

I bindur se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, kryeministri thotë se Europa nuk po e lidh më zgjerimin me kriteret që duhet të përmbushin vendet aspirante, por vepron  e kushtëzuar nga problemet e brendshme të vetë unionit.

“Vendimmarrja e Këshillit nuk bazohet në atë që ne bëjmë, në atë që vende si ne bëjnë, por në situatën e brendshme dhe në dinamikat e brendshme politike të vendeve të ndryshme anëtare”.

Sjellja e Brukselit sipas kryeministrit Rama u lë terren aktorëve të tretë të ndikojnë në rajon.

“Është një plan i qëndrueshëm i Europës që të mbajë këtë organ të brendshëm të zvarritet bashkë me trupin, por të mos integrohet me trupin, për të pasur një lloj zone gri brenda saj, ku aktorë të tjerë me axhenda të tjera të përparojnë jashtë kësaj zone”.

I pyetur nga gazetari nëse do të lëshonte pushtet për integrimin e Shqipërisë, Rama tha se hyrja në BE është një proces i gjatë, që kur të ndodhë ‘vështirë se do të më gjejë sërish kryeministër’.

VERITAS.COM.AL/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.