Mjaft i ashpër është treguar kryeministri Edi Rama me personat brenda partisë së tij në mbledhjen e Asamblesë së PS. Dhe sulmin më të drejtpërdrejtë dhe me emër në veçanti, e pati ndaj Elisa Spiropalit, deputetes socialiste, e cila është koordinatore për bashkëqeverisjen me qytetarët, komenton sot gazeta Express.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike Edi Rama, tha se Elisa Spiropali nuk e ka bërë punën si duhet. Vetë Spiropali foli për kryetarë të PS-së në rrethe, se bëjnë anëtarësime fiktive për të treguar se po bashkëpunojnë me qytetarët në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët. Por kryeministri, tha se priste nga Elisa që të paktën të fliste me emra dhe t’i kishte shkarkuar ata kryetarë.

Rama tha:

“Lufta kundër korrupsionit nuk mundet dot dhe s’ka shans të triumfojë kurrë nëse është luftë e cila fokusohet tek ndëshkueshmëria e individid. Lufta kundër korrupsionit mund të triumfojë vetëm nëse paralelisht me ndëshkueshmërinë garantohet sistemit dhe në këto 6 muaj kemi ulur në mënyrë drastike numrin e ndërveprimeve mes qytetarëve dhe administratës. Prisja nga Elisa Spiropali të thoshte gjërat për të cilat është zgjedhur, koordinatore e bashkëqeverisjes dhe prisja të thoshte cilët kryetarë duhen shkarkuar sot dhe jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare se bashkëqeverisjen me një instrument që është konkret, platformën e bashkëqeverisjes online, ta vërë në dispozicion të të gjithë njerëzve që rinë rrugëve për të kapur deputet, miq, kushërinj e shok që të marrë një hipotekë. Si mundet që sot, pas 6 muajsh ne të kemi ende bashki ku kryetarët e partisë ende nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë. Deputetët nuk janë zyra pune, dhe nuk janë as në mundësinë dhe as në përgjegjësinë të marrin për dore çdo njeri që do të futet në punë dhe ta çojë në punë, sepse kjo është e pamundur. Ashtu sikundër, deputetëve, u duhet dhënë mundësia që të kenë pikën e referimit ku t’i drejtojnë njerëzit, shqiperiaqeduam.al. Ka shkuar në 80 veta numri i punonjësve të hipotekave që jo vetëm janë shkarkuar nga puna po janë në ndjekje të prokurorisë vetëm për faktin që nuk u ka dhënë qytetarëve dokumentet në kohën e duhur. Kryetari i partisë nuk i ka dhënë njeri detyrën të merret me punësime. Ka kryetar partie që e bëjnë, duhet shkarkuar. Nuk i ka dhënë njeri detyrën të bëjë ndërmjetësime, dhe lëre më pastaj për të rregulluar vëllezërit, motrat e gjithë farefisin, duhen shkarkuar, se njerëzit nuk janë qorra e shurdhe. Njerëzve nuk u duhet çfarë thotë Rama në televizor apo çfarë thotë ministri për rritjen ekonomike.  Elisa nuk e bëri këtë se nuk ka bërë detyrën si duhet. Kjo është e vërtetë. Dhe unë shpresoj që ta bëjë”, tha Rama.

Koordinatori i bashkëqeverisjes me qytetarët, përmes platformës online shqiperiaqeduam.al është një post mjaft i rëndësishëm, që kryesocialisti e krijoi në nisje të mandatit të dytë qeverisës, pas shkëputjes me koalicionin qeverisës të mandatit të parë, me LSI-në. I pari që e drejtoi këtë strukturë të “koalicionit” me qytetarët, ishte Saimir Tahiri, ish-kryetar i PS-së, që humbi edhe vendin e tij në PS si deputet, pasi ndaj tij u ngritën akuzat për përfshirje në trafik të drogës, akuza për të cilat është në hetim.

Vitin e kaluar bëri mjaft bujë një deklaratë e Spiropalit, e cila në vlerësimin e saj për kryeministrin e krahasoi Edi Rama me Skënderbeun!

Kjo “goditje” që Rama i bëri Spiropalit, erdhi pasi shefi i mazhorancës sulmoi opozitën gjatë Asamblesë së PS-së. Për Ramën, Shqipëria sot nuk ka opozitë, pasi nuk sfidon me intelekt, por me forcë.

 

“Ne jetojmë sot në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. Nuk kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, po në thelb e bën shumë më të vështirë punën tonë. Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, po fizikisht është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e sfiduar në intelekt, një opozitë që nuk shkon në parlament si në një kuvend po si në një tapet mundje, është një hata e madhe sepse ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar para alternativa, gjendemi në kushtet kur duhet të shtrihemi në një sport që nuk ka lidhje as me politikën po as me sportet e njohura nga federatat ndërkombëtare. Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe program sharjen, është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për tu motivuar dhe për të bërë më të mirën”, tha Rama.

Veritas.com.al/