Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e parlamentit se progres raporti do të rekomandojë hapjen e negociatave për në BE, dhe se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim. Por sipas tij, ky është një vendim që merret nga Këshilli i Europës, ku ndikon edhe dinamika e brendshme e vendeve anëtare.

“Shqipëria ka ecur përpara dhe progres- raporti në fund të majit do të rekomandojë pa kushte hapjen e negociatave. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete të thjeshtë: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me BE. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se çelja e negociatave është një vendim që merret nga KiE. Nga Këshilli i përbërë prej të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtarë, bazuar në rekomandimin e komisionit por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare. Që do të thotë që nëse raporti i komisionit është një raport i cili ndërtohet mbi kritere ekskluzivisht teknike duke verifikuar kryerjen e të gjithë detyrave të përcaktuara për çeljen e negociatave, vendimmarrja në KE është rezultat i debatit të brendshëm në KiE që i kalon kriteret teknike dhe subjektiviteti i vendeve ka rolin e vet.

Tek subjektiviteti, ndikimi jonë është relativ në kushtet kur në Shqipëri ka forca që janë të rreshtuara kundër….”, deklaroi kreu i qeverisë.

“Nga brenda vendit, u jepet ushqim forcave kundër zgjerimit që nuk e mirëpresin çeljen e negociatave, një ushqim kundër interesave të këtij vendi, kjo është shumë e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme nga kushdo, nuk ka asnjë justifikim për eksportimin dhe nxitjen e konflikteve të brendshme në funksion të kësaj vendimmarrje dhe krijimit të aleancave me forca që janë kundër zgjerimit’, tha kryeministri.

Ai garantoi socialistët që nga foltorja e Parlamentit se ‘do të jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, që do ta fusim Shqipërinë edhe si anëtare në Bashkimin Europian”.

Veritas.com.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.