Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër prokurorët e SPAK, të cilët i kanë sosur durimin me mungesën e vullnetit për “të përdorur dinamitin mbi peshkaqenët”.

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste, Rama ka vënë në pikëpyetje punën e SPAK, i cili- sipas tij- veproi në mënyrë të rrufeshme, si sahat zviceran, teksa nën urdhrat e Presidentit në detyrë vuri nën hetime kampionin e anti-korrupsionit Ardian Dvorani, mirëpo “peshkaqenët e vettingut” janë të lirë dhe s’iu ka hyrë asnjë gjemb në këmbë.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje SPAK të marrë nën hetim Ilir Metën, pasi “e gjithë Shqipëria e do presidentin para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

U bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e  tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero. Kamponi i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që e gjitha Shqipëria mezi pret ta shoh përpara SPAK, Ilir Metës”- tha Rama.

Po ashtu, nuk kanë munguar as sulmet ndaj Sali Berishës. Në vijimësi të kritikave të artikuluara në Kongresin e 9 prillit, Rama theksoi se “çështja e non-gratës së madhe nuk është një çështje e Amerikës, është e Shqipërisë, nuk është një hall i DASH, është një hall i popullit shqiptar dhe sfida është një sfidë që ia bëjnë drejtësisë, sensit të së drejtës në këtë vend”.

“Këtu është siç thoshte një plakë rome që e doja shumë kur isha i vogël, të kesh dy, një ta mbash e një ta çash, se një nuk mjafton. Çështja e non-gratës së madhe nuk është një çështje e Amerikës, është e Shqipërisë, nuk është një hall i DASH, është një hall i popullit shqiptar dhe sfida në fakt, në thelb, nuk është një sfidë që non-grata e madhe me ata të verbrit që ndjekin pas ia bëjnë Amerikës. Është një sfidë që ia bëjnë drejtësisë, sensit të së drejtës në këtë vend, sado të mundohemi ne, sado hetime denoncime, gjykime, dënime të jepen në këtë vend për këdo qoftë. Non-grata e madhe, është një problem i madh i Shqipërisë së të nesërmes.”- tha Rama, duke shigjetuar Berishën.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ia përsëris SPAK, keni për të hetuar për këdo qoftë që i përket kësaj bashkësie politike bujrum hetoni, keni për të çuar para gjykatës këdo qoftë që i përket niveleve më të larta të kësaj bashkësie politike bujrum, por realisht po hyni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend e deri tani e keqja kualifikohet e ju skualifikoheni deri tani.

Kualifikimi i të keqes nuk është se disa do ia hedhin pa u lagur por se e keqa do e vërë përfund sërish këtë vend, siç e kishte vënë para se të krijoheshit ju.

Këtë vënie të re përfund PS s’do lërë dy gur bashkë që të mos e lejojë. E kam thënë në Kongres e po e përsëris sot, ne kemi mbajtur një qëndrim të paimagjinueshëm deri para se të angazhoheshim në reformën në drejtësi.

Qëndrimi ynë në raport me këdo qoftë për të cilin drejtësia ka llogari e as gëk as mëk sa herë është dashur të merret para drejtësisë cilido qoftë prej nesh.

Sikundër jemi vetëpërmbajtur deri kur tani nuk mban më përballë kësaj tallje të madhe se kjo është tallje, shumë tallje e madhe e më këtu jo unë por ne por partnerët në futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do kapen, hahen, skuqen është realisht tallje e madhe që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi e vetëm për një lloj peshku. Madje pa e pasur problem fare të gjuajë e cironka me dinamit.

Duket se nuk ka as vullnet për ta përdorur dinamitin për peshkaqenët.

Durimi ynë po soset, i imi po një here i juaji ka kohë që është sosur po e di e ma vini fajin mua. Kjo do të thotë që SPAK e të gjithë ata të interesuar duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend. 

SPAK në mënyrë të rrufeshme a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që për pak ditë më në fund do të largohet nga zyra e presidentit. Por nëse ky sahat zviceran do të ishte i pakonkurueshëm, sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë jashtë nga vettingu për pasuri marramendëse do të ishin sot më burg?! Sepse u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e  tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero.

Fakti që nuk kemi folur as për atë arkën e peshkut, shtrënguam dhëmbët e bëmë një përshëndetje, ndërkohë turpin tjetër të Dvoranit nuk e kemi thënë ndonjëherë, po e them unë këtu. Kamponi i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që e gjitha Shqipëria mezi pret ta shoh përpara SPAK, Ilir Metës. Unë e kam udhëhequr ketë proces, pa bërë asnjëherë asnjë diskutim të asnjë neni. Juristët tanë kanë pasur rezerva, unë nuk mendova që mjafton të behet kjo dhe gjithçka do të ishte mirë. Jam gjithmonë edhe më i paduruar përballë faktit që ata që e nxin totalisht Shqipërinë, e bën një vend ku pandëshkueshmërisë janë të paprekur. Me një lehtësi të hatashme SPAK shkon dhe bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin. Ai sot e gjithë jetën jeton në një apartament të para viteve 90. Ndërkohë që ata që i ka vilat e rreshtuara, këta janë të gjithë duke pritur finalet e Champions League.

Ka dhe turpe të tjera më të mëdha kështu që thirrja ime në emër të të gjithëve juve, të kësaj partie, nuk është thirrje partiake, por thirrja e forcës që e ka udhëhequr e që e garanton reformën në drejtësi, e që nuk do i bëhet mburojë askujt që duhet të përballet me drejtësinë, është zonja e zotërinj të SPAK zgjohuni e dilini në mbrojtje të Shqipërisë se Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non grate, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli e dynjasë. Këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK e askush tjetër.

Revolta ime nuk është se po na ofendohet Amerika po se po fyhet Amerika. Jo, fare. Është se po sfidohet drejtësia e po deligjitimohet SPAK e gjithë sistemi i ri i drejtësisë që kanë ngatërruar detyrat e KLSH me detyrat e Prokurorisë Speciale– u shpreh Rama.