Kryeministri Edi Rama, i cili kreu një vizitë zyrtare në Zaerbajxhan, ka thënë se mes dy vendeve do të punohet për gazifikimin e Shqipërisë.  Në një deklaratë në Azerbajxhan, Rama u shpreh se ekspertë turq e azerë do të eksplorojnë mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re gazi natyror.

“Do të punojmë shumë ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm është nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili faktikisht përmes TAP-it lidh pjesën e sipërme që do të thotë Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën dhe faktikisht e kthen Shqipërinë në një nyje shumë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit. Nga ana tjetër, kemi folur edhe për t’u ulur së bashku, ekspertët tanë, ekspertët azerë dhe ekspertët turq për të eksploruar mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re. Ashtu sikundër kemi folur edhe për të pasur nga ana e Azerbajxhanit investime në turizëm, duke pasur parasysh edhe shembullin e shkëlqyer që Azerbajxhani ka dhënë në Malin e Zi, me ndërtimin e një infrastrukture ultra moderne mikpritjeje”, tha Rama.