Ka nisur ditën e sot me plani i veprimit për pastrimin e territorit të Shqipërisë, ku aksioni i parë ka filluar nga Vlora, konkretisht nga Pylli i Sodës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Para se të përvishte vetë mëngët dhe t’i futej pastrimit të vendit, Rama ka pasur kritika dhe paralajmërime për kryebashkiakët e vendit, sidomos për ato të bashkive në zonat bregdetare që janë edhe potenciali më i madh turistik dhe zinxhir zhvillimi për ekonominë e vendit. Rama u bëri të qartë se askush nuk mund të ‘grricë’ fytyrën e vendin tonë të bukur dhe se do të ketë sanksione për kryebashkiakët që nuk garantojnë pastërtinë e vendit të tyre apo më keq akoma nëse krijojnë vendgrumbullime të paligjshme të mbeturinave.

Rama tha se bashkitë nuk do të mund të bëjnë dot asgjë tjetër nëse nuk sigurojnë fillimisht buxhetin që duhet për pastrimin dhe se taksat që mblidhen nuk i përdorin për mbajtjen pastër të ambientit.

“Fillimisht do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta dhe më pas do të parandalojmë që të mos rikrijohen më këto pika. Nuk është hera e parë që ne bëjmë aktivitete të tilla. Është koha jo vetëm të ndahen por edhe të kërkohen nga secili nga çdo institucion dhe çdo individë. Jemi në rrugën e zbatimit, asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burime financiare të nevojshme për pastrimin dhe nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në një rezultat konkret. Ministria e Turizmit ka nxjerrë se sa i kushton pastrimi çdo bashkie dhe në bazë të kësaj do të parashikohet edhe buxheti pasardhës i bashkive. Cdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për grumbullimin e mbetjeve dhe është e patolerueshme që plehrat të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve qoftë edhe në landfillet. Asnjë bashki nuk do të lejohet që për justifikime të pajustifikueshme në vend që ti çojë ato në pikën fundore që krijojë pika të tjera të paligjshme grumbullimi dhe për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe vetë bashkitë.  Është kollaj për bashkitë që duke i hedhur plehrat rrugëve. Pika më e nxehtë është dhe pika më e rëndësishme për turizmin dhe ekonominë tonë sot. Është e patolerushme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Pastrimi duhet të jetë në maksimum”, tha Rama