Mbledhja e parë e samitit “Open Balkan” pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, i cili po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut është çelur zyrtarisht për një sërë takimesh e marrëveshjesh të reja, por mesazhin kryesor, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e pati për iniciativën në tërësi, duke thënë se ajo, në këto ditë të vështira, është akoma më e domosdoshme.

“Ky është samiti i parë pas luftës në Ukrainë”, deklaroi Rama. “Ndryshe nga çfarë disa mendojnë, lufta në Ukrainë e bën ‘Open Balkan’ një domosdoshmëri”.

Për më tepër, ai shtoi se në takime të tilla rajonale, nuk mund të vihet me mendësinë që vendet e Ballkanit shkojnë në Bruksel. As me retorikën se si flitet në Bruksel.

“Duhet të flasim hapur dhe të fuqizojmë këtë karakteristikë të këtij rajoni”, theksoi ai.

Më tej, kryeministri vijoi duke thënë se “nuk vinte si një surprizë raporti i Serbisë me Rusinë”.

Por, kjo gjë, nuk mund ta ndalë rrjedhën e iniciativës ballkanike, e cila në qendër të vëmendjes, ka qytetarët e jo politikën.

Pikërisht vështirësia e sjellë nga lufta në Ukrainë, është ajo që sipas Ramës, po e bën akoma më të dukshme nevojën për Ballkanin e hapur.

Në bazë të bashkëpunimeve që tre vendet anëtare po kanë mes njëra-tjetrës dhe lehtësive të sjella në çështjet burokratike, është arritur edhe një kalim më i thjeshtë i të mirave materiale, duke stimuluar ekonominë.

“Nuk është as i imi, as i Alexander Vuçiçit, as i Zoran Zaevit”, nënvizoi Rama. “Është i njerëzve”

Kreu i Qeverisë nuk e mohoi se i gjithë rajoni ka problematika të shumta. Megjithatë, sipas tij, këto rregullohen vetëm duke u bashkuar.

Pikërisht Ballkani i Hapur, është një mënyrë se si i gjithë rajoni mund të bashkohet dhe të lërë pas çdo konflikt që ka pasur.

“Ballkani nuk vdes. Aq më pak Ballkani i Hapur”, e përmbylli Rama fjalimin e tij.