Kryeministri Edi Rama reagon përsëri për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kavajë, ku mbeti i plagosur brenda zyrave të PD sekretari Bledar Okshtuni. Si autor i dyshuar është shpallur në kërkim Ndriçim Jonuzi (Tahiri).

Rama shkruan se ngjarja e djeshme s’ka asnjë motiv politik, sepse autori nuk ka lidhje me PS dhe madje është vetë militant i PD.

“Është krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik!Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman”, shkruan Rama.

Edhe pak minuta më parë, vetë autori i dyshuar Ndriçim Jonuzi (Tahiri) publikoi një video-mesazh nga arratia dhe sqaronte se “nuk i vinte fare mirë” që Lulzim Basha e cilësonte si socialist, pasi ai kishte sakrifikuar shumë për PD.

“E bëj këtë video për të sqaruar vëllezërit e mij myslimanë, që të rrinë të qetë sepse nuk kam ndërmend të merrem me politikë, sot e mot inshallah. Më kanë thënë që Lul Basha, kryetar i PD, më ka cilësuar socialist. Nuk më vjen mirë fare. Me mi humb gjithë ato sakrifica, gjithë jetën time për PD. Vetëm se me shfrytëzu këtë rast për fushatë, megjithatë e dinë vet”, shprehej ndër të tjera Ndriçim Jonuzi (Tahiri) duke sqaruar vëllezërit myslimanë.

VERITAS.COM.AL