Për kryeministrin Edi Rama reforma në drejtësi kundërshtarët më të fortë të saj e njëherazi më të frikësuarit ka Ilir Metën e Sali Berishën. Duke e vlerësuar këtë reformë prioritet në rrugën drejt 25 prillit, Rama prezantoi Etilda Gjonajn, ministren e drejtësisë në krye të listës për deputete në Tiranë, ndërsa Vasilika Hysi, një nga hartueset e reformës në drejtësi hoqi dorë nga politika duke e vlerësuar PS-në, skuadër model për mandatin e tretë. Rama thotë se mandatin e tretë e kërkon për të mos lënë në mes betejat e nisura në 8 vite qeverisje me bindjen se progresi i bërë deri më tani nuk mjafton.

“Zgjedhjet lidhen me fatin e drejtësisë në Shqipëri, për një kohë të gjatë pas 25 prillit, për një dekadë. Vetëm PS mund ta bëjë, mos u gënjeni nga zhgënjimi prej drejtësisë në këto vite të gjata. Drejtësia e re nuk ndërtohet me drapër e çekan as me urdhra qeveria, por një process të mundshëm demokratik, do nerva të forta”

Nuk lë pas t’i kujtojë shqiptarëve se çdo të thotë vota për Berishën, Metën, Bashën e Kryemadhin.

“Ky që vjen është mandati i tretë për mua dhe PS dhe mandati i 5 për Saliun, Lulin dhe PD-në, pa harruar që është edhe mandati i pestë për Ilir dhe Monikën herë me PD-në dhe herë me PS-në. Të gjithë ata kanë të njëjtin avaz. Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet.

Prioriteti i socialistëve, “Drejtësia që duam”, i ka dy kundërshtarët më të fortë të saj, tha Rama, e njëherazi edhe më të frikësuarit.

“Forcat e kundërreformës reagojnë dhe godasin…Udhëheqësit janë 2 më të frikurit, Meta dhe Berisha, mbështeten nga kasta e korruptuar e gjykatësve dhe e prokurorëve, deri kur t’i vijë dita e fshesës së vettingut që afron për secilin prej tyre.  PD LSI KCK 3 këmbët e të keqes me 2 koka presidentësh që kërcënon fatin e reformës në drejtësi”

Rama  nuk e sheh rrezik për drejtësinë kryedemokratin Lulzim Basha. Sipas tij duke qenë një politikan i dobët pa karakterin e një lideri është një kukull në duart e tre të tjerëve që mund ta mbyllin lulin në shtëpi me duart e tij për 30 sekonda.

E para e listës së Tiranës, do të jetë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, lajm që kreu i qeverisë e dha përmes lamtumirës së Vasilika Hysit nga politika.

Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, ka bërë një parashtrim të të gjitha zhvillimeve në 8 vite qeverisje për sa i përket pronës në Shqipëri.

“Për 8 vite, deri në 2013-n pronarët u zvarritën. Zgjidhja e problemit të pronësisë në Shqipëri ka qenë një prej kërkesave kryesore të Bashkimit Evropian. Pa zgjidhje të kësaj problematike thoshte BE nuk ka integrim. Çfarë bëmë ne në 8 vite? Legalizimi i banesave është një sukses i padiskutueshëm. Mijëra janë legalizuar dhe formalizuar. U mundësua kryerja e të gjithë aplikimeve vetëm online përmes portalit e-Albania duke mënjanuar radhët në sportele dhe lehtësuar pune. Janë evituar procese gjyqësore të stërgjatura dhe janë ofruar zgjidhje administrative, edhe si pasojë e rritjes së përgjegjshmërisë dhe cilësisë së administratës. Ne kemi bërë regjistrimin e të gjitha pronave kombëtare dhe zgjidhjen e problemeve të regjistrimit. Plazhet, rëra dhe veprat publike përftuar nga paligjshmëria i kthehej publikut.  Deri tani janë marrë 26091 vendime përfundimtare, janë 9500 dosje, 7744 kërkesa me vlerë financiare mbi 9 miliard lekë. E gjitha reforma jonë do të çojë gjithnjë pronën tek i zoti”, tha ndër të tjera ajo.