Në kuadër të fushatës elektorale, teksa fliste nga Ura Vajgurore për përgjimet e dala së fundmi nga dosja 339, kryeministri Edi Rama komentoi edhe deklaratën e drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, e cila gjatë fjalës së saj akuzoi prokurorin paraardhës të dosjes 339 (Besim Hajdarmataj) se kishte zbardhur vetëm përgjime sporadike, pa kryer hetime për blerjen e votave në Durrës.

Në një linjë me të, pa përmendur emrin e prokurorit, Rama tha se një prej tyre, apo dy i kanë çuar këto përgjime tek PD, pasi ashtu si politikanët i tremben reformës në drejtësi.

“Po dëgjoja kryesuesen e Krimeve të Rënda, ndonëse me vonesë, por ka shpjeguar arsyen pse këto zbulime të mëdha që janë abuzim me ligjin e nxjerrje sekreti hetimor, për të bërë politikë e përdorur kundër Shqipërisë.

Dëgjojini dhe lexojini kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar këto zbulime të mëdha.

Njëri nga ata, apo dy i kanë çuar tek partia për t’i përdorur për politikë. Sepse ata i bashkojnë shumë gjëra, lufta ndaj reformës në drejtësi. Kemi prokurorë që tmerrohen nga vettingu dhe politikanë që tremben nga vettingu”,- vijoi ai.

Emrin e prokurorit Hajdarmataj, e përmendi mbrëmë në një emision televiziv, numri dy i qeverisë, Erion Braçe, i cili e akuzoi si njeriun që ka çuar përgjimet te PD.

Veritas.com.al/