Shqipëria do të legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore!

Kjo tashmë është fakt, ka thënë kryeministri Edi Rama, pasi në Formularin e Këshillimit Kombëtar, 61% e qytetarëve kanë votuar “pro”. Në prezantimin e përgjigjeve të këtij formulari, Rama tha se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik, ç’ka kanë thënë qytetarët, do të realizohet”, tha Rama.

Në formularin e Këshillimit, qytetarët u pyetën: Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore, ju si mendoni? Kësaj pyetje, 308.992 janë pozitivisht, 148.092 kanë votuar jo, dhe 51.051 nuk e di, ose e thënë me %, 61% pro, 29% kundër dhe 10% nuk e di.

Çfarë është kanabisi mjekësor që Shqipëria do të legalizojë kultivimin e saj?

Në një intervistë që ka pasur më herët, Xheraldo Gjergji, pjesë e grupit të punës për legalizimin e kultivimit të kanabisit mjekësor ka përkufizuar se çfarë është ky lloj i kanabisit.

“Nga ana ligjore është ai kanabis që në mënyrën se si rritet kalon në procese laboratorike dhe përdoret dhe shitet në farmaci, jo në markete, apo rrugë. Merret me recetën e mjekut, nuk do jetë në farmacitë shqiptare, por produkti shqiptar do jetë në farmacitë botërore. Bëhet fjalë për një treg 55 miliardë dollarë, se i janë gjetur benefite mjekësore të kanabisi. Një ndër sëmundjet që kanabisi e mban në kontroll është epilepsia. Një fëmijë kishte kriza epileptike 3-4 herë në ditë dhe aktualisht në Amerikë janë disa brende, që përdor CBD përbërës në kanabis mjekësor”, ka thënë me herët Gjergji.

Kanabisi mjekësor vlerën më të madhe të përfitimit ekonomik e ka kur kthehet në vaj, pasi përdoret për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Sipas specialistëve nga një litër vaj kanabisi fitohen deri në 95 mijë euro. Të shumtë janë mjekët evropianë, të cilët në recetat e tyre në vendet që e lejojnë japin preparate me përbërje kanabisi. Duhet thënë se disa nga efektet e bimës kur përdoret nga pacienti janë: lehtësimi i dhimbjeve kronike; përmirëson kapacitetin mushkërive; ndihmon në uljen e peshës; rregullon dhe ndalon diabetin;  lufton kancerin, ndihmon në trajtimin depresionit; ka pasur rezultatet të mira te autikët;  përdoret të pacientët me epilepsi; rregullon kockat; është trajtim për glaukomën; lufton stresin; ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit (humbja e kujtesës); ndihmon personat me probleme me alkoolin dhe ata që kanë probleme me stomakun.