Nga Veritas.com.al/

Ajo çfarë  provoi të gaatuajë gjithë periudha e sulmit “akademik” jugosllav mbi “paaftësinë e shqiptarëve për shtetformim”, kulmoi në një “autogol” politik të kryeministrit të Shqipërisë në Beograd. Ai deklaroi se deri tani Shqipëria “nuk ka pasur shtet”. Deklaratën e bëri publikisht, madje në prani të kryeministrit serb Vucic dhe politikanëve, aktivistëve dhe diplomatëve që merrnin pjesë në Forumin për Sigurinë në Ballkan. Lajmin e dha menjëherë www. Infoshqip.com. Kryeministri i Shqipërisë, duke zgjedhur fraza “ekstravagante”, tha:

“Faleminderit dhe ju përgëzoj për optimizmin kur thoni se për 50 minuta do zgjidhni gjithçka, nuk besoj se do e arrijmë… Lidhur me BE dhe situata mendoj se ne në Ballkan do të jemi të qartë për një pikë të thjeshtë. Procesi i BE për ne nuk është një udhëtim për të shkuar diku sepse disa njerëz e presin këtë nga ne, por është rrugë e modernizimit që është e mundur për shoqëritë tona për të ndjerë hapësirën e boshllëkun mes të ardhmes veç përmes integrimit në BE. Është më i rëndësishëm procesi sesa anëtarësimi sepse mendoj se ndërtojmë shtetin që nuk e kemi pasur më parë”

Më poshtë, duke u paraqitur si “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” i shqiptarëve që për herë të parë po iu sjell shtet, iu sul edhe Europës që e quajti “një rrëmujë”.

“ Duket si një mallkim Ballkanik sepse Europa ka qenë në një formë të mirë kur ishim rrëmujë dhe sot kur përpiqemi të jemi më mirë ata janë bërë rrëmujë”, tha ai i krenuar se po ia kalonte edhe shtetformimit Europian.

Më poshtë kryeministri i Shqipërisë u mburr edhe për Reformën në Drejtësi, të cilën e quajti “radikale”. Gjithë punët e shtëpisë së vet i dorëzoi në tryezën e Forumit në Beograd, veç nga pasioni që e rrëmbeu duke dëgjuar zërin e tij në mikrofon dhe duke ndjekur vështrimet mikpritëse të serbëve në sallë.

Pasi deklaroi në Beograd se Shqipëria deri tani “nuk kishte shtet”, vallë si do të ndjehen historianët shqiptarë, atdhetarët e Kosovës, diplomatët që kanë transmetuar të kundërtën e kryeministrit në kancelaritë e huaja, qytetarët e Shqipërisë që krenohen si një popull shtetformues në rajon?…

Është hera e parë që teza se shqiptarët janë “jo- shtetformues” pranohet nga një politikan i lartë, aq më shumë kryeministër.

/Veritas.com.al/