Sipas burimeve të Albanian Post pranë Kryeministrisë, vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Kiev, do t’i bashkohet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Abazoviç pranoi të dielën ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të vizituar Kievin.

Sakaq, Rama dhe Kovaçevski e kanë pranuar idenë e Abazoviçit dhe mbetet për t’u dakordësuar data e udhëtimit.

Zelensky, në një bisedë telefonike të zhvilluar disa ditë më parë, e ftoi Abazoviçin për vizitë zyrtare në kryeqytetin ukrainas.

“Siç është lajmëruar, kryeministri Abazoviç do të jetë nismëtari i një vizite të përbashkët me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht të vendeve të NATO-s në rajon”, bëri me dije zyra e kabinetit të Dritan Abazoviç, raportuan mediat malazeze, përcjell Albanian Post.

Kjo, “në mënyrë që të dërgohet mesazh më i fortë dhe unik e mbështetës nga Ballkani Perëndimor për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Abazoviç i shprehu mbështetje të plotë Zelensky-t kundër agresionit rus, ndërsa theksoi se, që nga fillimi i pushimit të Ukrainës, “Mali i Zi e ka dënuar atë dhe është shprehur haptazi për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Ukrainasit po luftojnë jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për vlerat evropiane dhe vetë Bashkimin Evropian, ka thënë ai.

“Ne shpresojmë që Ukraina të marrë statusin e vendit kandidat për BE dhe Mali i Zi, si lider në procesin e negociatave, është gati të ofrojë asistencën e nevojshme të ekspertizës dhe politikës”, ka thënë Abazoviç, raportoi mediumi malazez “AntenaM”, përcjell Albanian Post.

Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar kryeministrin Abazoviç për mbështetjen e deritanishme të Malit të Zi ndaj Ukrainës, qëndrimin e saj parimor ndaj BE-së dhe marrëdhëniet e saj me Kombet e Bashkuara.

“Duke e njohur kryeministrin Abazoviç me situatën aktuale në Ukrainë, ai shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve personale. Në këtë kuptim, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i dërgoi një ftesë kryeministrit të Malit të Zi, Abazoviç, që të vizitojë sa më shpejt kryeqytetin e Kievit”, thuhet në deklaratë.