Kryeministri Edi Rama ka përfunduar bisedën me presidentin e KE, Charles Michel, me të cilin foli për luftën në Ukrainë, integrimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për Ballkanin e Hapur dhe reformat.

“Përtej vështirësive të procesit, aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për tu hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike europiane si rezultat edhe i një vullneti gjithnjë e më të shprehur nga ana e BE, e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt BE.

Jam i bindur se shqiptarëve asnjëherë nuk do t’i duket e tepërt, por shpresoj të mos i duket presidentit të KE për mirënjohjen ndaj mbështetjes për momentet më të vështira që nga tërmeti tek pandemia sepse kanë shënuar pika shumë të rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve mes BE. Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se ne ndihemi shumë krenar që jemi pjesë e frontit të përbashkët që sot është më shumë se asnjëherë tjetër, qartësisht një front i të mirës kundër së keqes.

Folëm me presidentin për situatën e përgjithshme, angazhimet dhe sfidat në raport me luftën në Ukrainë. Folëm për procesin në vigjilje të Këshillit Europian kur dihet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në axhendë, folëm për ecurinë e marrëdhënieve rajonale, Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit por edhe reformat duke filluar nga ajo në drejtësi”, tha Rama.

Rama nuk la pa përmendur edhe megaoperacionin e SPAK të ditës së djeshme duke thënë se ligji po godet krimin e organizuar duke treguar se jemi në rrugën e duhur.

“Të gjithë e ndoqën edhe dje operacionin shumë domethënës të prokurorisë spciale dhe policisë për t’i dhënë ndoshta goditjen më të rëndësishme krimit të organizuar ashtu si dhe shembujt kuptimplotë të drejtësisë, pavarësisht përkatësive të tyre politike që tregojnë se jo vetëm jemi në rrugën e duhur por kemi hapur hapa domethënës”, tha Rama.