Gjatë punimeve në seancën plenare të Kuvendit të mbajtura sot, kryeministri Rama ka zbuluar se ish- kryeministri Berisha ‘ka vizë të kuqe,  domethënë është i papranueshëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përplasja e sotme mes ‘dy kryeministrave’ ka shërbyer për të zbuluar për publikun disa të vërteta që vetëm se hamendësohen në publik, por askush nuk jep informacionin më të lehtë. Edhe pse rreth Reformës në Drejtësi, sa herë polemizohet, thuhet se kjo po pret ‘peshq të mëdhenj’ që do të thotë liderë shtetërorë, megjithatë për publikun mbetën vetëm fjalë.

Ndoshta u dashkan përplasje të mëdha për të zbuluar disa informacione që mbahen fshehur nëpër dosjet e liderëve.

Por sa është e vërtetë ajo që deklaroi sot Rama në Kuvend? Do të ishte e paimagjinueshme që një kryeministër të japë ‘lajme të rreme’ në lidhje me Shtetet e Bashkuara; megjithëse mbetet për t’u provuar në të ardhmen.

Debati mes ‘dy kryeministrave’:

Edi Rama: Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali ti e kapërcen dot oqeanin me dasht? Hajde përgjigju. Hajde përgjigju. Me dasht?… Më bërë një pyetje të drejtpërdrejtë, ta dhashë një përgjigje të drejtpërdrejtë, dhe të bëra një pyetje të drejtpërdrejtë. Nëse unë do të isha ai që më përshkuan ti, të jesh i sigurt se unë s’do e kapërceja dot oqeanin jo më të komunikoja drejtpërdrejt me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë skam mundësi t’i kërkoj gjë Shtëpisë së Bardhë.

Sali Berisha: Kur unë u largova nga aktiviteti nuk kam bërë dhe kam refuzuar çdo lloj ftese nga kushdo, sepse unë tani përfaqësoj zgjedhës dhe jam person privat…

Edi Rama: Unë nuk të pyeta a ke marrë ftesa nga SHBA. Nga ana tjetër, duke menduar se si ta japësh përgjigjen, bëre një gabim, the që ‘unë nuk dal më jashtë shteti për arsye pune’. Ti merr Mehdiun dhe shkon në Bundestag dhe s’lë llaf pa thënë për Shqipërinë. Unë nuk e diskutoj që ka njerëz që të ftojnë, unë të pyeta ti me dash, e kalon oqeanin apo jo?

Sali Berisha: Që nesër!

Edi Rama: Nderi e do që unë të jem i dëshiruar që ti vërtet ta kalosh oqeanin nëse do, por mënyra se si ti përgjigjesh më bën të mendoj se ka një problem.

Veritas.com.al/