Përballë kompleksitetit të reformës kushtetuese, votimi i kësaj të diele në Itali është shnderruar në votim besimi për shefin e qeverisë, Matteo Renzi.

Italianët nuk janë apasionuar aspak për koklavitjet e reformës kushtetuese për të cilën janë thirrur të votojnë këtë të diel të 4 dhjetorit. Një reformë që nuk do të ketë ndikim afatshkurtër në jetën e tyre të përditëshme, me argumente komplekse, një tekst të pakuptueshëm dhe konstitucionalistë të përçarë. Pasoja: shumica e italianëve pohojnë se nuk e kuptojnë fare çfarë do të thotë “bikameralizëm perfekt”, tema kryesore e reformës. Votimi referendar është shndërruar në një votim plebishitar për kryeministrin, Matteo Renzi.

Po cilat janë sfidat e këtij referendum të 4 dhjetorit?

Pyetja: “I miratoni dispozitat kushtetuese që synojnë të rrëzojnë bikameralizmin perfekt, të reduktojnë numrin e parlamentarëve dhe koston e funksionimit të institucionseve, heqjen e Cnel dhe rishikimin e titullit 5 të pjesës së dytë të Kushtetutës?”

Temat dhe argumentet

Transformimi i Senatit në dhomë të rajoneve dhe heqja e bikameralizmit perfekt

Ky është thelbi i reformës që po përçan Italinë. Numri i senatorëve reduktohet nga 315 në 100: 74 përfaqësues të këshillave rajonale, 21 kryebashkiakë dhe 5 senatorë të përjetshëm të emëruar nga presidenti i Republikës. Ata nuk do të gëzojnë më shpërblime parlementare dhe nuk zgjidhen më me shumicë votash, por emërohen “në konformitet me përzgjedhjen e votuesve e shprehur gjatë zgjedhjeve rajonale”. Një formulë e vagullt, sepse reforma nuk tregon mënyrën e votimit indirekt që do të hyjë në funksion. Deri tani, Senati kishte të njëjtat pushtete si Dhoma e Deputetëve; dhe, ligjet duhej të miratoheshin në mënyrë identike në të dy Dhomat. Tani e tutje – me disa përjashtime të vogla –, Senati mund të propozojë ndryshime në projekt-ligje, por Dhoma e Deputetëve nuk është e detyruar t’i ndjekë këto indikacione. Ai ndërhyn, përkundrazi në projekt-ligje që lidhen me bashkësitë lokale. Senatorët nuk marrin më pjesë në votëbesimin e kryetarit të këshillit të ministrave, por ata marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit të Republikës.

PO-ja

Reforma i jep fund ecejakeve pa fund të ligjeve mes dy dhomave, me qëllim arritjen e një teksti të njëjtë, që ngadalëson punën legjislative. Ajo synon stabilizimin e qeverisë. Kryeministra të shumtë kanë rënë në Senat në të shkuarën, duke patur gjithnjë mazhorancën në Dhomën e Ulët – dy asambletë ndërkaq janë zgjedhur me mënyra të ndryshme votimi. Duke kufizuar numrin e të zgjedhurve, reforma redukton gjithashtu koston. Objektivi i saj është thjeshtëzimi, modernizimi dhe përmirësimi i efikasitetit të jetës politike.

JO-ja

Reforma kufizon kundër-pushtetet e Senatit ndërkohë që me ligjin e ri elektoral një parti që merr 40 % të votave do të ketë një mazhorancë të gjerë në Dhomën e Ulët dhe do të mund të zgjedhë presidentin e Republikës si dhe gjykatësit e Gjykatës kushtetuese. Vetëm një Senat i pajisur me të njëjtat prerogativa si Asambleja Kombëtare mund ta shmangë riskun e përplasjes autoritare. Për kundërshtarët e reformës, është e pasaktë të thuhet se puna legjislative është e ngadaltë në Itali, që është një nga vendet evropiane që prodhon më shumë ligje, por në më të shumtën e rasteve të paaplikueshme. Nga ana tjetër, bikameralizmi nuk është hequr në të vërtetë, sepse miratimi i Senatit mbetet i domosdoshëm për adoptimin e reformave kushtetuese, traktateve evropiane, ligjeve mbi tutelën e minoriteteve gjuhësore apo mbi referendumet. Senatorët do të vijnë nga këshillat e rajoneve, klasa politike në të shkuarën është paraqitur si më e korruptuara. Këta të fundit, pa qenë të zgjedhur, do të gëzojnë imunitet parlamentar. Kursimet e përllogaritura janë qesharake, 50 milion euro, ndërkohë që buxheti i Parlamentit italian është 1,4 miliard.

Rishikimi i titullit 5 të pjesës së dytë të Kushtetutës

Titulli 5 i pjesës së dytë të Kushtetutës riurdhëron marrëdhëniet midis rajoneve dhe shtetit. Një reformë tepër federaliste e adaptuar në 2001 nën presionin e Legës së Veriut i kishte shtuar pushtetet e rajoneve. Kjo kish krijuar konflikte të shumta midis qendrës dhe periferisë në sektorët si shëndeti publik, transportet, ruajtja e objekteve historike, turizmi, politika energjitike. Reforma synon të eleminojë “konkurrencën e kompetencave” duke i rivënë nën autoritetin e shtetit politikën energjitike, transportet, infrastrukturat strategjike, kërkimin apo mbrojtjen civile.

PO-ja

Reforma e 2001-tës kish krijuar kaos. Rreth 120 rekurse, ose 1 në çdo 3 ditë, paraqiten çdo vit para Gjykatës kushtetuese për të zgjidhur konfliktet e kompetencave midis shtetit dhe rajoneve. Nuk ka më mundësi ta pengojë një rajon, për shembull, zgjatjen e një linjeje të TGV-së apo kalimin e një gazmbajtësi nga Veriu apo nga Jugu.

JO-ja

Ky është fundi i decentralizimit. Shteti imponon ligjin e tij kudo, qytetarët nuk mund të vendosin më për atë që bëhet në territorin e tyre. Përveç kësaj, reforma nuk prek rajonet me status të veçantë (Siçilinë, Sardenjën, Trentinon, Friulin, Val d’Aostën), që ruajnë tërë autonominë e tyre. Dy pesha dhe dy masa.

Cnel-i

Këshilli kombëtar i ekonomisë dhe i punës (Cnel) është një institucion publik i themeluar në 1957, i përbërë nga personalitete të sidikalizmit, nga bota e punës dhe sipërmarrjes, dhe që prezumohet t’u bëjë propozime qeverisë dhe Parlamentit. Asnjë nga 14 projekt-ligjet që ka propozuar Cnel-i në 60 vjet nuk janë miratuar, por kostoja e funksionimit të saj i kushton 9 milion euro në vit shtetit. Heqja e tij ka unanimitetin e të gjithëve.

/Veritas.com.al/