(Oficeri i krimeve Saimir Hoxha)

RENEA së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), kanë lokalizuar autorin e vrasjes së oficerit në Lezhë, Aldi Rama 21 vjeç.

Ai qëlloi me armë drejt forcave të policisë duke bërë të mundur kështu edhe identifikimin e vendndodhjes së tij.

Në orët e para të mëngjesit, Saimir Hoxha, 44 vjeç, humbi jetën në krye të detyrës ende në rrethana të paqarta.

Ai u qëllua me armë zjarri, gjatë një kontrolli anti-kanabis në zonën e Ishull Lezhë nga Aldi Rama.

Menjëherë drejt ngjarjes u nis drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe u ngrit një strukturë e përbërë nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu në ndihmë të kësaj strukture kanë shkuar edhe helikopterët e ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.

Kjo, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërtimi i ngjarjes

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 44-vjeçari po kontrollonte territorin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Aty gjatë orëve të para të mëngjesit, në zonë e Vainit, janë sulmuar grupi i kontrollit të policisë.

Hoxha ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Shërbimet e Policisë e kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.

Ai është 21 vjeç, dhe sipas policisë i riu ka pasur precedent penal. Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.