Partia e Emmanuel Macronit kërkon t’i prodhojë vetë materialet video për të shpërndarë mesazhet e veta në terren, përfshi edhe “atje ku mediat nuk shkojnë”.

Të shtunën mblidhet Konventa e parë e Republikës në Marshim për të përcaktuar prioritetet e saj të mëdha për të ardhmen. Dhe për ta bërë këtë ka ndërmend të rekrutojë redaktorë dhe kineastë për t’I përcjellë iniciativat dhe mesazhet e saj drejtpërdrejt në terren te ndjekësit e saj. Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i ‘Republikës në Marshim’.

«Ne do të lidhemi më shumë me shtypin e përditshëm rajonal. Por ne duam edhe t’i prodhojmë vetë spotet tona, në mënyrë të decentralizuar. Nëse mediat nuk shkojnë atje, do shkojmë ne», ka saktësuar zëdhënësi. «Ne duam po ashtu t’u drejtohemi edhe mediave pak më sociale, për ta thyer leximin vetëm politik të partive… Ne do të përzgjedhim tematikat sepse kemi një fushë shprehjeje që prek jetën e njerëzve. Sindikatat, qeveria do t’I përdorin, por ato janë larg jetës së njerëzve. Ne do ta tregojmë këtë dinamikë të angazhmit qytetar», ka pohuar ai.

Në krye të shtetit, Emmanuel Macron ka komunikuar deri tani drejtpërdrejt me francezët, përmes rrjeteve sociale.

Qëkurse u zgjodh president ai ka dhënë vetëm një intervistë në tetë gazeta evropiane  njëkohësisht. Republika në Marshim pretendon se ka 373 000 anëtarë ndër të cilët 100 000 janë prurje të reja që nga 7 maji kur fitoi Emmanuel Macroni. 160 000 militantë aktivë dhe  3 200 komitete lokale kanë organizuar rreth 70 000 evenimente politike (atelie, mbledhje publike…) gjatë këtij viti. Pas fitores presidenciale dhe fitores në Asamblenë kombëtare, Republika në Marshim synon të paraqesë kandidatë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Lëvizja e Macronit kërkon të rinovojë praktikën e politikës. Falë fitores së saj në zgjedhjet e fundit, ajo do të përfitojë subvencione prej 20,5 milion euro, që do të lëvrohen në mes të vitit 2018.

Veritas.com.al/