Disa përfaqësues të Industrisë së Riciklimit të mbetjeve kanë hyrë sot në zyrën e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për të kërkuar që Presidenti të mos dekretojë ligjin për importin e mbetjeve, i miratuar në Kuvend përmes një minimumi votash.

Përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve paraqitën historikun e industrisë dhe informacione të hollësishme rreth lëndëve të para që përdorin në fabrikat e tyre të riciklimit si dhe ndikimit të Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë “disinformimet dhe tentativat për përdorim politik”, qëllimi dhe interesi i industrisë të riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik dhe zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit.

Fjalori i Ricikluesve, biznesmenë të interesuar për përfitimet nga kjo industri, ishte thuajse i njëjtë me fjalorin e qeverisë. Edhe qeveria ka deklaruar në publik se qytetarët (në shumicë) që kundërshtojnë ligjin, janë “të painformuar dhe të deformuar”.

Përafqësuesit e Riciklimit iu drejtuan zyrës së Presidentit, disa ditë pasi kundërshtarët e ligjit që përfaqësojnë zërin e publikut e të qytetarëve, që nga zyra e Presidentit kërkuan që të mos dekretohet ligji, i njëjti ligj për të cilin kërkojnë biznesmenët e riciklimit. Njësoj siç ka ndodhur që në fillimet e zhvillimeve demokratike kur në një miting politik, kundërshtarët organizonin një anti- miting.

Bie në sy edhe momenti kur ricikluesit trokasin në zyrën e Presidentit: Veç një ditë pas kthimit të Presidentit shqiptar nga vizita në romë, te presidenti i Italisë. Me sa duket këta mendojnë se Italia do t’i ketë bërë presion zyrës së Presidentit shqiptar duke i kërkuar “miratimin e importimit të mbetjeve”. Shumica e sasisë së mbetjeve që do ië importohen vijnë nga Italia.

Presidenti Nishani iu ka thënë ricikluesve se  “Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar në mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë.”. Presidenti u tregua i kujdesshëm me fjalën. Ai deklaroi se “ do ta trajtojë me shumë seriozitet dhe se do të mbajë një qëndrim sa më të argumentuar, duke vazhduar ndërkohë edhe konsulta të mëtejshme me individë ekspertë të fushës”.